Përcillet me nderime në banesën e fundit studiuesi Mahmud Arnauti

 

Besimtarë, studentë e qytetarë të shumtë nga e gjithë Kosova kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të studiuesit Mahmud Arnauti. Ikja e tij, la një vend të pazëvendësueshëm në auditorët universitare të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, ku ai prej vitesh ligjëronte. Ikja e tij, krijoi një hendek të madh në fushën e studimeve dhe kulturës islame, e studimit të haditheve  në veçanti.  Ikja e tij, la një boshllëk të madh në zemrat e familjarëve e të miqve që e njohën nga afër. Ai vdiq në të njëjtën moshë me profetin Muhamed a.s. dhe shkoi agjërueshëm tek Zoti. Menjëherë pas faljes së namazit të drekës së 5 qershorit, si pasojë e një ataku kardiak, shpirti i tij shtegtoi në amshim. Ai u varros me nderime të mëdha dje, me 6 qershor, pas namazit të drekës në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Ai ishte biri i një prej dijetarëve më të njohur bashkëkohor në lëmin e hadithit, pikërisht Abdul Kader Arnautit, që u nda nga jetë pak kohë më parë.

Mahmud Arnauti lindi në Damask më 1954 dhe rridhte nga një familje kosovare e emigruar në Siri në fillimet e shek. XX. Në Damask përfundoi studimet e larta dhe u specializua në historinë islame dhe  shkencën e hadithit profetik. Pavarësisht se lindi dhe u rrit në Damask, ia pati një dashuri të veçantë për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën ka shkruar shumë prej veprave të tij.

Mahmud Arnauti ishte anëtar i Lidhjes Siriane për Historinë e Shkencave dhe sekretar i redaksisë së revistës “Trashëgimia Arabe”, botuar në Damask në vitet 1997- 2000.

Në vitin 1991 themeloi Qendrën “IbnAssakir” për redaktime dhe hulumtime të literaturës së trashëgimisë kulturore islame në Damask dhe e drejtoi punën në të, deri në fund të vitit 1995.

Punoi si studiues dhe lektor në departamentin e Specializimeve Universitare të Institutit Islam El-Feth në Damask, nga viti 1997 deri ne vitin 2009. Nga viti 2011 e në vazhdim u angazhua si lektor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.

Vizitoi më shumë se njëqind biblioteka ndërkombëtare në Siri, Kosovë dhe në shumë vende arabe, islame dhe evropiane.

Në vitin 2012 themeloi Qendrën Kulturore “AbdulKadirAl-Arnaut” në Kosovë, ku u vendos dhe drejtoi punën e saj, deri sa u nda nga kjo jetë, pikërisht sot me 5 qershor 2017.

Ka ndihmuar në hartimin e shumë enciklopedive arabe dhe islame të botuara në Siri, Tunizi, Turqi dhe në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Ka botuar më shumë se tetëdhjetë libra si autor, bashkautor, redaktor në Siri, Kosovë, Liban, Egjipt, Kuvajt, Marok, Shqipëri, Turqi dhe në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Ka hartuar me qindra artikuj studimorë e publicistikë në shumë gazeta dhe revista të botës arabe dhe asaj islame. Mahmud Arnauti ka bashkëpunuar me shumë institucione akademike e kulturore shqiptare, si: Universiteti i Prishtinës, Fakultetit i Studimeveve Islame, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) etj. Jehona e punës së tij shkencore në drejtim të njohjes së fesë e kulturës islame do të jetë padyshim e paharruar dhe e përjetshme. Zoti ia shpërbleftë të gjitha të mirat që bëri në këtë botë dhe e gradoftë në xhenet!

mahmud-arnauti-banesa-e-fundit

 

 

 

 

Share Button