PE miraton heqjen e tarifave roaming për celularët

Parlamenti Europian votoi me shumicë dërrmuese në favor të dhënies fund të tarifave roaming për telefonat celularë, një lëvizje e cila do të gëzojë konsumatorët edhe pse ka hasur në kundërshtimin e kompanive të telekomunikacionit. Në seancën e radhës në Bruksel, ligjvënësit europianë vendosën të mbështesin draftin që i jep fund aplikimit të tarifave roaming në të 28 shtetet anëtare të bllokut, deri në dhjetor të vitit 2015.
“Bëhet fjalë për një shërbim ndaj qytetarëve”, thanë zyrtarët e  komisionit për Çështjet Dixhitale, duke shtuar se vendime të tilla tregojnë thelbin e BE-së, heqja e barrierave për t’ua bërë më të lehtë jetën njerëzve.  Dhënia fund e tarifave roaming dhe bashkë me të e faturave shokuese që marrin njerëzit që i përdorin celularët edhe kur udhëtojnë, ka qenë një çështje e diskutuar për tre vjet, duke shkaktuar edhe debat të tensionuar me kompanitë e shërbimeve telefonike.
Analistët e sektorit të telekomunikacionit vlerësojnë se pa tarifat roaming, fitimet e kompanive të tilla do të bien me 5 për qind, por Komisioni Europian argumenton se me uljen e tarifave, më shumë konsumatorë do të përdorin celularët jashtë vendit të tyre, e kjo do të kompensojë humbjet.
Ligjvënësit europianë vendosën gjithashtu kufizime edhe në llojet e shërbimeve online për të cilat kompanitë vendosin tarifa shtesë që t’u rrisin shpejtësinë.
Operatorët po përpiqen të kenë pjesën e tyre në fitimet e klikimit të videove dhe muzikës që download-et në internet, si mënyrë për të kompensuar uljen e fitimit nga shërbimet tradicionale.

Share Button