PDK: Për qeverinë mandatohet fituesi

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas marrëveshjes që kanë arritur partitë opozitare që synojnë krijimin e qeverisë së re.

Nëpërmjet një komunikate për mediat, PDK-ja vlerëson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton shumë qartë se mandati për formimin e qeverisë i takon fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas komunikatës së PDK-së, mandati për formimin e qeverisë buron nga vullneti i qytetarëve të Kosovës, të cilët, siç thuhet në komunikatë, i dhanë PDK-së besimin për të vazhduar udhëheqjen e qeverisë dhe për të zbatuar “Misionin e Ri” për Kosovën, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

Më tej PDK-ja u ka bërë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga tendenca për të shkelur verdiktin demokratik të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët me votën e tyre sovrane kane shprehur qartë vullnetin e tyre politik dhe qytetar për katër vitet e ardhshme.

Partia Demokratike e Kosovës në komunikatën e saj i fton të gjithë qytetarët që të kenë besim të plotë në institucionet përgjegjëse dhe në proceset ligjore dhe kushtetuese, thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike të Kosovës.

 

Share Button