PD: Të lirohet Didi, të rihapen hetimet për pengmarrjen e 1999

Deputeti i PD Arben Ristani kerkoi  lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, pasi sipas tij, nuk plotëson asnjë kriter për emërimin në këtë detyrë, ndërsa kërkoi të hetohet roli i tij në vdekjen e pasagjerit grek për ngjarjen e vitit ’99.
Kryetari i komisionit për lëvizjen në Policinë e Shtetit, Arben Ristani i cili lexoi raportin përfundimtar kërkoi që të rikthehen në policinë e shtetit të gjithë ata punonjës që janë shkarkuar në kundërshtim me ligjin. “Kërkojmë lirimin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për shkak se nuk plotëson asnjë nga kriteret ligjore për emërimin në këtë detyrë. Marrjen e masave administrative dhe ligjore për rikthimin e ligjshmërisë në policinë e shtetit nëpërmjet ngritjes së një grupi pune të posaçëm për vlerësimin e situatës së krijuar në organizatën e policisë dhe në situatën e kriminalitetit në vend duke propozuar masa konkrete dhe urgjente”, thuhet në raportin e lexuar nga Ristani. Gjithashtu Ristani tha se duhet të hapen hetimet për ngjarjen e vitit 1999 ku u mor peng autobusi grek nga një shqiptar dhe se Artan Didi sipas opozitës ka vrarë një person të pafajshëm.

Share Button