PD: Policia nuk lufton krimin por godet qytetarët

Partia Demokratike ka reaguar ndaj dhunës që dy policë kanë ushtruar ndaj një të riu në mes të qytetit të Korçës, pasi ky i fundit i gërvishti makinën eprorit të tyre. PD përmes deputetit Arben Ristani i quan rrahjet nga policia jo episodike por dëshmi e sjelljes së dhunshme.“Peshku është qelbur nga koka dhe nga aty duhet të nisë pastrimi i së keqes” tha Ristani. “Ka dalë qartë në sytë e mbarë opinionit publik se kush janë prioritetet kryesore të policisë së shtetit. Nga njëra anë është dhuna primitive ndaj qytetarëve të pamundur, në rrugë dhe në komisariat, dhe nga ana tjetër është përfshirja e saj në trafik droge. Rastet e rrahjes brutale në Kavajë dhe në Korcë, të zbuluara falë dëshmitarëve në këto skena, në mes të ditës, nuk janë episodike, por janë dëshmi e raportit që ka krijuar Policia e Shtetit me qytetarët, janë dëshmi e sjelljes së saj të dhunshme e të paligjshme që shkel me këmbë qytetarët. Policia dhunon barbarisht një të ri në Kavajë duke e goditur me shkelm në fytyrë teksa mbahet i lidhur, ndërkohë që oficerë të forcave operacionale, dhe shefat e tij, janë të përfshirë në trafik kokaine dhe heroine.  Kjo është e kundërta e Policisë që i duhet vendit. Sot janë shoqëruar me dhunë në komisariat, banorë të Kamzës që protestojnë se po jetojnë në errësirë prej muajsh, për shkak të represionit të qeverisë, nga ana tjetër Policia ende nuk ka ndaluar asnjë prej grabitësve të 10 ditëve të fundit, të bankës, të biznesit në autostradë, të grabitjes në Vlorë, të grabitjes në Shkodër, të grabitjes në Kamëz, të grabitjes në Korcë. Luftë me qytetarët, paqe me kriminelët. Peshku është qelbur nga koka dhe nga koka duhet të nisë largimi i së keqes”, përfundoi Ristani.

Share Button