PD kërkon transparencë nga PS për të emëruarit në institucione

Partia Demokratike i kërkoi sot kryeministrit Rama të bëjë transparencën e emërimeve në krye të institucioneve, duke ju referuar konkretisht rastit të drejtorit të ujësjellësit të Patosit. Koordinatorja e PD-së tha se institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave kriminale e politike. “Partia Demokratike kërkoi ditë më parë një shpjegim nga Kryeministri Edi Rama për emërimin e dyshimtë të Drejtorit të Ujësjellësit të Patosit. Por kaluan 6 ditë dhe Rama nuk dha asnjë përgjigje për emërimin e tij flagrant. Ndaj, sërish sot, ne po i drejtojmë të njëjtat pyetje kryeministrit. z.Rama cili është kriteri i ndjekur në emërimin e Drejtorit të Ujësjellësit të Patosit? z.Rama, pse drejtori i Ujësjellësit të Patosit, ka ndryshuar emrin? A e ka ndryshuar emrin, sepse ka pasur probleme me drejtësinë greke? z.Rama, sa vite burg për trafik droge ka bërë në Greqi, drejtori juaj i ujësjellësit në Patos? Cili është kumbari politik i drejtorit të ujësjellësit, që ka ndërhyrë tek ju për këtë emërim? “- u shpreh Bardhi. Më tej ajo shtoi se Partia Demokratike është në pritje të përgjigjes nga kreu i qeverisë, për të bërë transparencën e emërimeve të tij në krye të institucioneve që duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave kriminale e politike.
“Partia Demokratike nuk do të reshtë së denoncuari çdo rast të emërimeve flagrante në administratën publike, duke kërkuar transparencë për meritokracinë, shanset e barabarta, respektimin e ligjit si dhe detyrimin kushtetues të Kryeministrit Rama për të dhënë shpjegime para qytetarëve,”- theksoi kordinatoria Bardhi.

Share Button