Pas pauzës disavjeçare rikthehen bisedimet Rusi-Japoni

Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së Rusisë dhe Japonisë, në takimin e tyre të parë ”2+2” që prej aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, kanë diskutuar në Tokio për çështjet rajonale, përfshirë ato të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin e formatit ”2+2“ kanë marrë pjesë ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, homologu i tij japonez Fumio Kishida, ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shojgu dhe ministrja japoneze e Mbrojtjes, Tomomi Inada, ndërsa bashkë kanë diskutuar për luftën kundër terrorizmit, trafikun me drogë si dhe për programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Në takim, diplomatët rusë kanë theksuar shqetësimin e tyre për sistemin antiraketor amerikan THAAD të cilin do të mund ta instalojë Koreja e Jugut.

Është biseduar edhe për ishujt kontestues mes Japonisë dhe Rusisë. “Besoj se zhvillimi i përbashkët i ishujve do të ishte një hap i rëndësishëm i cili do të krijonte një ambient të shëndoshë për një marrëveshje të paqes”, ka thënë Lavrov në fillim të takimit.

Kishida nga ana e tij ka shprehur gatishmërinë e palës japoneze për zhvillim të përbashkët ekonomik si dhe për zgjidhje të kësaj çështjeje.

Takimi i fundit Rusi-Japoni i formatit ”2+2” është mbajtur në nëntor të vitit 2013.

Pas krizës në Ukrainë, Moska u përball me sanksione të Perëndimit të cilat u mbështetën edhe nga Japonia, që rezultoi me ndërprerje të takimeve.

Share Button