Partia Socialiste fiton zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri aktual, Edi Rama, ka fituar zgjedhjet parlamentare mbajtur më 25 qershor, duke arritur shumicën parlamentare për të formuar e vetme qeverinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nga 98 për qind e votave të numëruara në rang vendi, rezulton se Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), është në avantazh me 48.30 për qind të votave. PS ka fituar 74 mandate gjithsej për legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë, duke siguruar shumicën për krijimin e vetme të qeverisë, nga 71 deputetë që nevojiten.

Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), e drejtuar nga Lulzim Basha, që ishte edhe kandidati për kryeministër i saj ka siguruar 28.86 për qind të votave, ose 43 deputetë, ndërsa Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) që kishte kandidat për kryeministër Petrit Vasilin, që është edhe kreu i kësaj partie, 14.30 për qind të votave ose 19 deputetë. Ndërsa Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) e drejtuar nga Shpëtim Idrizi ka siguruar 4.79 për qind, ose 3 deputetë. Partia Social Demokrate ka fituar një mandat.

Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje është rreth 46.73 për qind.

Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka bërë të ditur se partia që ai drejton do të organizojë një aktivitete festiv në orët e pasdites në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë ku edhe ai do të mbajë një fjalim.

Partia Socialiste zhvilloi fushatën e saj me sloganin “Për Shqipërinë që duam”, ku gjatë takimeve elektorale në mbarë vendin Rama bëri publike ambicien për të qeverisur si forcë e vetme, jo në koalicion me ndonjë parti tjetër, me synimin, sipas partisë në pushtet, për të vazhduar kursin e reformave, të filluara në mandatin e parë qeverisë.

Kujtojmë se më 25 qershor në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku morën pjesë 18 parti politike. Qytetarët me të drejtë vote kanë votuar në 5.362 qendra votimi, për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë. Zgjedhjet parlamentare janë vëzhguar nga 5351 vëzhgues, nga të cilët 896 nga misionet vëzhguese ndërkombëtare.

Share Button