Parlamenti grek i jep votëbesimin qeverisë së re

Me 155 vota pro, nga gjithë deputetët e koalicionit qeveritar dhe 144 kundër, nga të gjithë ligjvënësit e partive të tjera në Parlament, qeveria e re e kryeministrit grek Alexis Tsipras që ka dalë pas zgjedhjeve të 20 shtatorit, ka fituar votëbesimin e Parlamentit.

Grupi i tij parlamentar, bashkë me deputetët e aleatëve të tij “Grekët e Pavarur”, do të testohen në javët e ardhshme, kur së pari do të duhet të votojnë brenda pak ditësh, një paketë prej 48 reformash të ashpra që kërkojnë kreditorët, midis tyre rritjen e taksave dhe shkurtimet e pensioneve, që Greqia duhet të miratojë për të marrë një pjesë nga kësti i parë i ndihmës dhe 25 mld euro për rikapitalizimin e bankave të saj.

“E dimë që kemi përballë turbullira dhe vendime të vështira, por unë jam absolutisht i sigurt se do të kemi sukses. Do të kalojmë shpejt pengesën e shqyrtimit të parë, do të përfundojmë çështjet e mëdha te rikapitalizimit të bankave, do të hapen negociatat për borxhin me vendime pozitive dhe do të ecim me hapa të matura për të ndryshuar vendin tonë”,- tha Tsipras.

 

Share Button