Parashikimi: Nesër rriten temperaturat, fundjava rikthen shirat

Reshjet e dendura të shiut të cilat shkaktuan përmbytje, kanë qenë sa dyfishi i sasisë së reshjeve që ranë gjatë përmbytjeve të vitit 2015.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në zona të veçanta kanë rënë 30% më shumë reshje shiu, por në zonat ku pati edhe përmbytje të mëdha sasia e reshjeve ka qenë e dyfishuar në krahasim me dy vite më parë.

Sipas Metodi Markut, meteorolog pranë IGJEUM-it, kjo sasi e madhe reshjesh solli edhe shtim të prurjeve në përrenj, që ndikuan në daljen nga shtrati të disa lumenjve.

Metodi Marku, meteorolog në IGJEUM: Në qoftë se do të krahasonim këtë periudhë me atë të vitit 2015, sasia e reshjeve këtë vit kanë qenë nga 30% më të lartë deri në dyfishim të sasisë së reshjeve të rëna para dy vitesh. Kjo do të bënte që të krijoheshin vështirësi të mëdha për lumenjtë tanë që të evakuonin një sasi kaq të madhe reshjesh, duke sjellë dalje të ujit nga brigjet e lumenjve. Lumenjtë në jug por edhe në qendër dolën nga shtretërit e tyre.

Sa i përket ditëve të ardhshme, Marku thotë se do të ketë një rritje të lehtë temperaturash, ndërkohë që në fundjave pritet të ketë reshje shiu me intensitet jo shumë të lartë.

Metodi Marku: Përsa i përket ditëve që vijnë, ne presim që të mos kemi reshje deri të premten në mbrëmje. Pritet të ketë reshje të shtunën dhe të dielën, por presim parashikimet e së mërkurës për konfirmim. Mëngjesi i sotëm ishte 2 deri në 3 gradë më i ftohtë se ditët e kaluara, por dita e mërkurë do të sjellë rritje temperaturash që do vijojnë edhe në entjen dhe të premten. 

Reshjet më të dendura të shiut u shënuan në qendër por edhe në jug të vendit, për dy ditë me radhë, çka shkaktuan edhe fryrje të lumenjve dhe daljen e tyre nga shtretërit duke sjellë përmbytje në Vlorë, Fier, Fushë Krujë etj.

Share Button