Pacolli: Duam të kemi më shumë produkte turke

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se Turqia është duke lënë të hapura të gjitha dyert për Kosovën dhe Turqia është një shtet i cili ka mbështetur gjithmonë demokracinë në Ballkan, raporton Anadolu Agency (AA).
Nën organizimin e Unionit të Odave dhe Bursa Turke (TOBB), në Kullat Binjake të TOBB-it nisi forumi i Biznesit Turqi-Kosovë.

Në forum, ku do të ketë takime mes kompanive të të dy shteteve, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, mori pjesë si folës.
Pacolli, duke theksuar se Turqia është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, tha se ky shtet lë të hapura të gjitha dyert për Kosovën dhe se Turqia është një shtet i cili ka mbështetur gjithmonë demokracinë në Ballkan.
Ai nënvizoi se Turqia dhe Kosova kanë vlera të shumta të përbashkëta dhe mentalitet të njëjtë.

“Nëse hulumtohet, ndoshta mund të shihet se mes nesh ka lidhje të shumta të përbashkëta. Turqia tregoi përpjekje të shumta që Kosova të zë vendin e duhur në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye, të gjithë kosovarët e falënderojnë Turqinë nga zemra”, shtoi Pacolli.
Duke rikujtuar se pavarësia e Kosovës është njohur nga 115 shtete, Pacolli tha se shteti i tij bashkëpunon edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
Pacolli shtoi se marrëdhëniet mes dy shteteve do të zhvillohen me përpjekjet e botës së biznesit dhe se në këtë mënyrë standardet e jetës së popujve të Kosovës dhe të Turqisë do të jenë më cilësore. Sipas tij, ekonomia aktivizon dhe vetëdijëson jetën e njerëzve.

Pacolli po ashtu theksoi se ndjek nga afër problemet e biznesmenëve dhe se përpiqet të marrë pjesë në takimet biznesore që marrëveshjet e arritura të mos mbesin vetëm në letër.

“Dëshirojmë që në shtetin tonë të shohim më shumë produkte turke”

Duke vënë në dukje se Kosova në aspektin tatimor është vend ideal për investitorët turq, Pacolli tha se Kosova merr 10 për qind tatim nga biznesmenët turq dhe se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produkte të shumta është 5 për qind.
Duke nënvizuar se vëllimi tregtar mes dy shteteve nuk është në nivelin e mjaftueshëm, Pacolli tha se ky nivel duhet të rritet dhe vuri theksin në rëndësinë e përfundimit të marrëveshjeve ekonomike të filluara më parë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Pacolli, u shpreh se me përfundimin marrëveshjeve të arritura, nuk do të mbetet asnjë pengesë në fushën doganore.
“Biznesmenët turq të cilët vijnë në Kosovë do të hasin në një atmosferë shumë miqësore. Standardet tona të jetës dhe popullsia e re ofron mundësi krejt të ndryshme. Në krahasim me shtetet e tjera, ne ofrojmë fuqi punëtore më të lirë. Për këtë arsye, duam që në shtetin tonë të shohim më shumë produkte turke”, theksoi ai, duke shtuar se kompanitë turke kanë një vend të rëndësishëm në botë.

Pacolli në fund shtoi se për çështje monetare, shteti tij së pari troket në derën e Turqisë dhe se kjo është një tregues i vullnetit për të punuar me Turqinë.

Share Button