OSBE ultimatum politikës: Miratoni Kodin e Sjelljes për deputetët, të rritet besimi i qytetarëve te Kuvendi

Nisma më e fundit e disa deputetëve të Parlamentit Shqiptar sa i takon miratimit dhe zbatimit të kodit të sjelljes së deputetëve të kuvendit, ka mbledhur sërish në një tryezë këta të fundit, ku i pranishëm ka qenë edhe ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt. Kështu, shërbimet e Kuvendit, së bashku me mbështetjen e prezencës së OSBE-së në Tiranë, ditën e djeshme organizuan një program orientimi për deputetët e rinj.

Duke folur në këtë event, ambasadori Bernd Borchardt deklaroi se prezenca e OSBE-së ka një bashkëpunim afatgjatë dhe unik me Kuvendin e Shqipërisë. Mirëpo duke qenë se me kalimin e viteve në këtë institucion janë shfaqur nevoja të reja, ambasadori ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetjen e misionit të tij për t’iu përgjigjur këtyre nevojave, duke e vënë theksin në veçanti tek Kodi i Sjelljes së deputetëve. Madje, Borchardt theksoi se zbatimi i Kodit të sjelljes, do të jetë një gur kilometrik në përpjekjet për të shtuar besimin e publikut në punën e Kuvendit.

“Në këtë kuadër mbështetëm hartimin e një Kodi Sjelljeje për deputetët. Megjithëse ky proces është në fazën përmbyllëse, propozime të tjera për përmirësimin e këtij dokumenti janë më se të mirëpritura. Zbatimi i tij do të jetë një gur kilometrik në përpjekjet për të shtuar besimin e publikut në punën e Kuvendit”, deklaroi ambasadori Borchardt.

Më herët, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi në një dalje për mediat ka sqaruar se çfarë përcakton Kodi i Sjelljes për deputetët, teksa pohoi se kodi i sjelljes rregullon mënyrën se si duhet të sillen deputetët, që nga aktivitetet që u lejohen dhe deri tek dhuratat që ata duhet të pranojnë. Ndërsa mes të tjerash, ajo theksoi se  në kod përcaktohet edhe etika e veshjes dhe fjalorit. Sipas saj, kodi i sjelljes ka 3 vjet që nuk miratohet nga Këshilli i rregullores, i mandateve dhe imuniteteve.

“Këshilli diskutoi sot dhe arriti në përfundimin se nuk ishim të gatshëm ta miratonim sot sepse kolegët e opozitës kërkuan të rishikohej dhe shtruan pyetjen pse na duhet një kod sjellje. Kryetari i Kuvendit i dha mundësinë opozitës dhe kemi vendosur të hidhen disa hapa konkretë. Ftohen të gjitha grupet parlamentare dhe deputetët të shprehin opinion e sugjerime brenda dy javëve. U ngritën grupe pune për t’i mbledhur sugjerimet për t’i parashtruar në kodin e sjelljes dhe e treta do shqyrtohet sërish në Këshill”, nënvizoi Hysi.

Share Button