Operacioni në Sloviansk, tensionohet situata

Ushtria ukrainase vazhdon operacionin kundër separatistëve pro-rusë në rajonin e Slovianskut. Mediat ruse flasin për dhjetra viktima gjatë luftimeve, kurse rebelët për një hakmarrje masive ndaj rrëzimit të helikopterit ushtarak të Kievit. Të enjten Rusia njoftoi ndihmat humanitare për separatistët e republikës së vetshpallur të Donjeckut, ndërsa së fundmi një komision hetimor i Kremlinit ka arritur në përfundimin se ushtria ukrainase ka shkelur Konventën e Gjenevës duke vënë në shënjestër edhe civilët në Sloviansk.Në ndihmë të rebelëve duket se kanë ardhur edhe armatimet ruse. Nuk bëhet më fjalë për armatime të lehta pasi separatistët thonë se janë pajisur me helikopterë, mjete të binduara dhe armë të tjera të rënda.Presidenti rus Putin bëri thirrje për ndalimin e gjakderdhjes. Në një bisedë me presidentin francez, Francois Hollande ai tha se duhet të ulen armët dhe Kievi e përfaqësuesit e separatistëve në rajonet lindore të Ukrainës të ulen në bisedime të drejtpërdrejta.
”Autoritetet e Kievit duhet të ndalin menjëherë dhunën dhe të nisin një dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e rajoneve jug-lindore të vendit”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për shtyp nga Kremlini.
Por presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës Petro Poroshenko ka thënë kryengritësit janë terroristë dhe asnjë vend i civilizuar nuk bisedon me terroristët.

Share Button