OPEC: Nafta dhe gazi mbeten energjensët kryesorë

Nafta dhe gazi do të vazhdojnë të luajnë rolin kryesor në të ardhmen energjetike të botës, për çka deri në vitin 2040 parashihet që participimi i tyre në krijimin e energjisë të jetë me 52 për qind, deklaroi presidenti i OPEC-ut, Mohammad Sanusi Barkindo, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të tij pas simpoziumit të mbajtur në Lustrum të Holandës, Barkindo tha se deri në vitin 2040, kërkesa për energji në nivel global do të rritet me 35 për qind.

“Deri në vitin 2020, kërkesa për naftë pritet të tejkalojë 100 milionë fuçi, ndërsa deri në vitin 2040 pritet të mbërrijë në 111 milionë fuçi në ditë”, tha ai, për të shtuar se pjesa më e madhe e kërkesës do të bëhet nga shtetet në zhvillim.

Rritja e kërkesës do të jetë nga shkaku i kërkesave të sektorit industrial, tha më tej Barkindo, për të shtuar se sektori i transportit do të kërkojë 5.4 milionë fuçi në ditë, petrokimia 3.9 dhe aviacioni 2.9 milionë fuçi në ditë.

“Kjo dinamikë tregon mjaft për naftën e papërpunuar të OPEC-ut e cila do të përfitojë nga rritja e kërkesës e cila deri në vitin 2040 do të shkoj në 41.4 milionë fuçi në ditë. Ndërkohë, kërkesa për energjensët e lëngshëm të OPEC-ut, deri në vitin 2040 pritet të rritet me 46 për qind”, tha ai.

Presidenti i OPEC-ut, Barkindo, thotë se bota ka nevojë për një shumëllojshmëri të burimeve energjetike, përfshirë edhe karburantet fosile të cilat akoma janë të mjaftueshme.

Aktualisht, rezervat e konfirmuara të naftës së papërpunuar në botë janë 1.2 trilionë fuçi.

Share Button