OKB vlerëson zgjedhjet në Ukrainë

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ivlerësoi zgjedhjet e së dielës në Ukrainë dhe  bëri thirrje t’i jepet fund dhunës dhe të rivendoset qetësia në vend. Pothuajse njëzëri, 15 anëtarët përshëndetën fitoren e Petro Poroshenkos dhe premtimin e tij për të biseduar me Moskën, me qëllim rikthimin e paqes dhe stabilitetit. Megjithatë, Ambasadori rus Vitaly Churkin u tregua më i rezervuar, duke thënë se zgjedhjet nuk janë një “ilaç” për konfliktin e Ukrainës.
Shefi politik i OKB-së, Jeffrey Feltman, i tha Këshillit të Sigurimit se rreth 60 përqind e votuesve të mundshëm morën pjesë në zgjedhje. Vëzhguesit ndërkombëtarë, – u shpreh ai, – dolën në përfundimin se votimet ishin të besueshme, pavarësisht armiqësive në rajonet lindore të vendit, Donjetck dhe Luhansk.
Ndërsa në Krimenë e aneksuar nga Rusia, zgjedhjet nuk u mbajtën fare. Të mërkurën, numri një i Kombeve të Bashkuara i telefonoi presidentit të zgjedhur Poroshenko, për t’i uruar fitoren.Por, sipas Feltman-it, Ban Ki-moon është gjithashtu i shqetësuar nga njoftimet për përdorimin e armëve të rënda në Lindje, dhe akuzat për hyrjen e armatimeve, luftëtarëve dhe kamionëve në Ukrainë. Në vëmendjen e tij është edhe çështja e katër monitoruesve ndërkombëtare, të zhdukur që nga mbrëmja e së hënës në rajonin e paqëndrueshëm të Donjeckut. Një tjetër grup prej 11 vëzhguesish u ndalua për një kohë të shkurtër, dje, po në të njëjtën zonë, por më pas u lanë të lirë.

Share Button