OKB vendos sanksione ndaj Boko Haram

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka miratuar sanksione kundër militantëve të Boko Haram, të cilët veprojnë në Nigeri. Vendimi vjen 5 javë pasi militantët kanë rrëmbyer më shumë se 200 vajza. Boko Haram do të shtohet në listën e organizatave të lidhura me al-Qaeda-n, mbi të cilat është vendosur embargo armësh dhe ngrirje e aseteve financiare.Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, tha se vendimi ishte një hap i rëndësishëm në mbështetje të përpjekjeve për të mposhtur Boko Haram. Së fundmi ky grup është akuzuar për vrasjen e 27 personave në një fshat në veri-lindje të Nigerisë. Banorët thanë se persona të armatosur kanë qëlluar mbi punëtorët e fermave në Chikongudo dhe më pas i kanë vënë zjarrin shtëpive. Në muajin prill militantët e Boko Haram rrëmbyen rreth 220 vajza nga një shkollë. Ky veprim i tyre ka shkaktuar një reagim të madh jo vetëm nga përfaqësuesit e shteteve më të rëndësishme në botë, por edhe nga personazhe të njohur të cilët janë solidarizuar për gjetjen dhe shpëtimin e vajzave. Presidenti i vendit Goodluck Jonathan në një deklaratë për mediat, tha se shteti dhe ndërkombëtarët, po bëjnë gjithçka për gjetjen e vajzave.

Share Button