OKB: Për 55 mijë gra shtatzëna nga Arakani nevojiten ushqime shtesë

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric deklaroi se përkundër të gjitha apeleve të komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Mianmarit akoma nuk lejon hyrjen e OKB-së dhe organizatave tjera humanitare në Arakan, raporton Anadolu Agency (AA).

Dujarric në konferencën ditore për media në New York theksoi se autoritetet e Mianmarit vazhdojnë të refuzojnë kërkesat për shpërndarjen e ndihmës humanitare në Arakan.

Ai shtoi se nuk mund të konfirmojë pretendimet për ngjarjet në atë pjesë të vendit, sepse OKB-ja nuk mund të hyjë në provincën në fjalë.

Më tej shtoi se nga 25 gushti deri tani rreth 415 mijë njerëz janë evakuuar në Bangladesh.

Ai theksoi se rreth 300 mijë njerëz kanë nevojë për ndihmë ushqimore, ndërsa 170 mijë nuk kanë qasje në objektet e kujdesit shëndetësor dhe për 55 mijë gra shtatzëna është më shumë se e domosdoshme të sigurohet ushqim shtesë.

Në fund i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë ndihmën humanitare për refugjatët në rajon.

Në sulmet ndaj civilëve në Arakan, të kryera nga ushtria e Mianmarit nën pretekstin e luftës kundër militantëve të armatosur, nga 25 gushti mijëra muslimanë u vranë. Për shkak se nuk lejohet hyrja ose largimi nga zona, është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i atyre që kanë pësuar nga dhuna.

Ushtria dhe nacionalistët budistë gjatë sulmeve kanë djegur ose shkatërruar plotësisht rreth 200 fshatra. Dhjetëra mijëra muslimanë nga Arakani (Rohingya) po përpiqen ende përmes lumit Naf dhe zonat malore të ikin në Bangladeshin fqinj.

Share Button