OKB: Numri i refugjatëve sirianë është 5 milionë

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), njoftoi se numri i refugjatëve të cilët kanë braktisur vendin për shkak të luftës së brendshme e cila vazhdon prej 6 vitesh në Siri, ka tejkaluar shifrën 5 milionë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e publikuar nga Komisioneri i Lartë për Refugjatët i OKB-së (UNHCR), theksohet se pavarësisht premtimeve në Konferencën e Gjenevës e cila u mbajt më 30 mars 2016, se deri në vitin 2018, 500 mijë sirianë në vendet fqinje do të vendosen në shtetet e tjera, deri tani vetëm 250 mijë refugjatëve i është dhënë kjo mundësi.

Në Konferencën e Gjenevës kishin marrë pjesë përfaqësues të 92 shteteve, gjithashtu edhe 10 organizata ndërshtetërore, 9 organizata të OKB-së dhe 24 organizata joqeveritare.

Komisioneri i UNHCR-së, Filippo Grandi, duke theksuar se rivendosja ka rëndësi jetike për mbrojtjen e refugjatëve, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përshpejtohen përpjekjet në këtë drejtim dhe të mbahen premtimet.

Sipas UNHCR-së, numri i refugjatëve vitin e kaluar në krye me Turqinë, në Liban, Jordani, Irak dhe Egjipt ka qenë 4.8 milionë, ndërsa në muajt e para të këtij viti e ka tejkaluar shifrën 5 milionë.

OKB-ja vlerëson se brenda Sirisë 6.3 miliona njerëz janë zhvendosur nga vendet e tyre. Në rajon me rreth 3 milionë sirianë, Turqia zë vendin e parë me më shumë refugjatë në këtë vend.

Share Button