OKB: Në botë çdo ditë humbin jetën mesatarisht 7 mijë foshnja

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se vitin e kaluar çdo ditë nga 15 mijë fëmijë të moshës nën pesë vjeç kanë humbur jetën, ndërsa shtatë mijë prej tyre ose 46 për qind kanë qenë foshnja që kanë vdekur në 28 ditët e para pas lindjes, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të ri të publikuar nga OKB-ja, teksa numri i fëmijëve të moshës nën pesë vjeç që kanë vdekur në vitin 2000 ka qenë 9.9 milionë, kjo shifër ka rënë në 5.6 milionë në vitin 2016.

“Edhe përkundër kësaj, vdekjet e foshnjave të sapolindura në këtë numër janë rritur nga 41 në 46 për qind në periudhën e njëjtë”, njoftohet në raport.

Raporti në fjalë është përgatitur nga Fondi Emergjent për Fëmijët (UNICEF), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Grupi për Vlerësimin e Vdekjeve të Fëmijëve (IGME), ndërsa sipas tij, duke u nisur nga trendi aktual, në periudhën 2017-2030, 60 milionë fëmijë do të humbin jetën pa mbushur pesë vite dhe gjysma e tyre do të përbëhen nga foshnja të sapolindura.

Siç thuhet, numri më i madh i vdekjeve të foshnjave ka qenë i pranishëm në Azinë Jugore me 39 për qind dhe Afrikën Subsahariane me 38 për qind.

Në raport thuhet se pneumonia dhe diarreja kanë qenë në krye të sëmundjeve infektive që kanë shkaktuar vdejken e fëmijëve nën moshën pesë vjeçare.

Raporti thotë se shumë jetëra mund të shpëtohen nëse zvogëlohet pabarazia globale.

– “Vdekja e 7 mijë fëmijëve është gjendje e papranueshme”

Kryetari i Sektorit Shëndetësor pranë UNICEF-it, Stefan Swartling Peterson, ka thënë në një deklaratë se “Jeta e 50 milionë fëmijëve nën pesë vjeç është shpëtuar që nga viti 2000, që tregon për angazhimin serioz të qeverive dhe partnerëve të zhvillimit për të luftuar vdekjet e fëmijëve”.

“Por, nëse nuk bëjmë më shumë për të ndaluar vdekjen e foshnjave ditën kur lindin ose ditën pas lindjes së tyre, ky progres do të mbetet i pamjaftueshëm. Ne kemi njohuri dhe teknologji që janë të nevojshme dhe vetëm duhet t’i dërgojmë ato aty ku janë më të nevojshme”, ka shtuar Peterson.

Nga ana tjetër, Flavia Bustreo, Zv/Drejtoresha e Sektorit të Shëndetit të Familjes, Grave dhe Fëmijëve pranë OBSH-së, ka thënë se është e nevojshme që shërbimet shëndetësore të përfshijnë secilin, ndërsa më së shumti t’u ofrohen familjeve të margjinalizuara, në mënyrë që të mundësohet rritja dhe zhvillimi i më shumë foshnjave.

“Për parandalimin e sëmundjeve, familjet duhet të fuqizohen nga aspekti financiar, të dëgjohet zëri i tyre dhe t’u mundësohet qasje në shërbime cilësore”, ka theksuar Bustreo.

Ndërkaq, Tim Evans, Drejtor i Sektorit të Shëndetit, Ushqimit dhe Popullsisë pranë Grupit të Bankës Botërore, ka thënë se është e papranueshme që shtatzënia dhe lindja e fëmijëve janë ende kushte të rrezikshme për gratë dhe që shtatë mijë të sapolindur të vdesin çdo ditë.

Share Button