Obama: Retorika antimyslimane, e pajustifikueshme

“E para gjë që dua t’i them komunitetit mysliman në Amerikë, është një fjalë që ata nuk e dëgjojnë shpesh : Faleminderit!”.

Me këto fjalë e nisi presidenti Barack Obama vizitën e tij të parë në një xhami të SHBA-ve. Ai vlerësoi myslimanët amerikanë si disa nga qytetarët më të respektuar dhe patriotë që ka takuar ndonjëherë.

Rritja e islamofobisë në vend është një fenomen që s’duhet kurrsesi të ndodhë. Paragjykimi ndaj myslimanëve ushqehet nga injoranca në mesin e amerikanëve për komunitetin dhe besimin islam”, tha Presidenti amerikan.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë dënoi atë që e cilësoi si “retorikë te pafalshme politike” në lidhje me besimin Islam, duke iu referuar dukshëm komenteve te bëra gjatë fushatës nga kandidati republikan për president, Donald Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka vizituar disa xhami në vizitat e tij zyrtare në vende të ndryshme të botës, por kjo është hera e parë që ai vizitonte një të tillë në SHBA, ku ishte përzgjedhur xhamia në Maryland.

Në vitin 2009, menjëherë pas marrjes së detyrës, Barack Obama ka mbajtur një fjalim historik në Universitetin e Kajros, duke premtuar se Amerika nuk do të jetë kurrë në luftë me besimin Islam.

 

Share Button