Obama përgëzon Indinë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Presidenti amerikan Barack Obama ka përshëndetur Indinë për mbajtjen e zgjedhjeve maratonë dhe u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë më ngushtë me qeverinë e re. Ai tha se, “India ka dhënë një shembull për mbarë botën për mbajtjen e zgjedhjeve më të gjata në histori”. Procesi elektoral prej 36 ditësh përfundoi të hënën, me një pjesëmarrje që sipas Komisionit Zgjedhor arriti në rekordin prej 66.38 për qind. Rivaliteti është mes Kongresit dhe partisë kryesore të opozitës BJP. Votat do të numërohen më 16 maj.“India ka dhënë një shembull për mbarë botën me mbajtjen e zgjedhjeve më të gjata në histori, një tregues ky i vlerave të shumta dhe lirisë”, u shpreh Obama në një deklaratë. “Ne mezi presim formimin e qeverisë sapo rezultatet të publikohen dhe të punojmë më ngushtë me administratën e re të Indisë”, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë. Zgjedhjet filluan më 7 prill dhe janë mbajtur në nëntë faza për motive sigurie dhe logjistike. Me 814 milionë zgjedhës me të drejtë vote, India kreu kështu sprovën më të madhe në botën demokratike. Një numër i madh sondazhesh sugjerojnë se lideri i BJP, Narendra Modi, është në drejtimin e duhur për t’u shpallur fitues i procesit. Partia opozitare në fjalë dominoi fushatën elektorale, por analistët paralajmërojnë se sondazhet jo pak herë janë gabuar në të kaluarën.

Share Button