Obama mban fjalimin e fundit në Kongres

Presidenti amerikan, Barack Obama, iu drejtua për herë të fundit Kongresit amerikan me një fjalim ku pasqyrohej gjendja e vendit.

Lufta kundër terrorizmit dhe sulmi ndaj linjës së Donald Trump ishte në fokusin e fjalimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë që u ndoq nga 30 milionë amerikanë.

Edhe pse nuk përmendi asnjë emër, Obama sulmoi Donald Trump për propozimin e tij për t’ju ndaluar myslimanëve hyrjen në SHBA. Ai ftoi amerikanët që mos pranojnë politikat që targetojnë njerëzit për shkak të racës dhe besimit të tyre.

Presidenti i SHBA-ve, duke folur për luftën ndaj militantëve të ISIS, tha se së shpejti këta vrasës dhe fanatikë do të shkatërrohen.

Po ashtu, në Kongresin që kontrollohet nga republikanët, Obama bëri thirrje për më shumë unitet. Ai tha se i mbetet peng fakti që nuk arriti të zhdukë hendeqet mes palëve gjatë shtatë viteve si shef i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se kjo nuk është një punë që mund ta bëj i vetëm.

Duke folur për ekonominë, Obama tha se amerikanët gëzojnë një ekonomi të qëndrueshme, me 14 milionë vende të reja pune vetëm në sektorin privat, që është numri më i lartë që nga vitet ’90.

 

Share Button