Obama: Duhet kohë për vendimin e Irakut

Presidenti amerikan Barak Obama ka deklaruar se atij do t’i duhen disa ditë për të vendosur se çfarë veprimi do të ndërmarrë mbi Irakun, por ai ka shtuar se nuk do të ketë dislokim të trupave amerikane në terren.
Çdo përfshirje e SHBA-së, theksoi Obama, duhet të ecë krah për krah me përpjekjet serioze dhe të sinqerta nga ana e udhëheqësve të Irakut për lënë mënjanë dallimet sektare. Në ditët e fundit, kryengritësit sunitë kanë marrë kontrollin e qyteteve Mosul dhe Tikrit, dhe po i afrohen kryeqytetit Bagdad.  Presidenti Obama tha para reporterëve në Uashington se Shteti Islamik i Levantit dhe Irakut ISIS përfaqëson një rrezik jo vetëm për Irakun por mund të përbëjë një kërcënim edhe për interesat amerikane. Ai shtoi se Iraku ka nevojë për mbështetje për të thyer hovin e grupeve ekstremiste dhe për të fuqizuar kapacitetet e forcave irakiane të sigurisë.
Sipas analistëve, kryengritja e ekstremistëve të ISIS ka fituar përkrahje në gjirin e popullatës sunite të Irakut për shkak të perceptimit të krijuar se qeverisë e Bagdadit, e drejtuar nga shumica shiite, ka zbatuar politika denigruese ndaj tyre. Ndërkohë edhe presidenti i Iranit ka deklaruar se Teherani është gati të ndihmojë Irakun, por ai ka përjashtuar dërgimin e trupave iraniane për të luftuar kundër militantëve. ”Iraku është fqinj mik i Iranit dhe Irani ka për tra ndihmuar qeverinë irakiane mbi bazën e rregullave dhe kornizave ndërkombëtare,” ka thënë ai për rrjetin britanik BBC. Por sipas burimeve të Wall Street Journal dhe CNN, Irani ka dislokuar tashmë në brendësi të Irakut dy njësi elitë të Gardës Revolucionare, por zyrtarët iranianë kanë mohuar të jenë përfshirë në luftime. Të premten, kleriku më i lartë  shiit i Irakut Ajatollahu Ali Sistani u bëri thirrje bashkëfetarëve shiitë që të marrin armët për të arritur qëllimin e shenjtë për të luftuar terroristët, për të mbrojtur Irakun dhe vendet e shenjta shiite.  Ka raportime se me mijëra njerëz u janë bashkuar milicive shiite, të cilat mund të luajnë një rol kyç në mbrojtjen e Bagdadit në vazhdën e përparimit të militantëve të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit.  Analistët shprehen se dhuna e këtyre ditëve rrezikon të sjellë një ndarje të Irakut në zona sunite, shiite dhe kurde.

Share Button