Obama dhe Merkel të bashkuar kundër Rusisë

Presidenti Barack Obama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel po paralajmërojnë Rusinë se sanksione të reja do të vendosen nëse nuk ndalet ndërhyrja në Ukrainën lindore.

Marrëdhëniet mes Merkel dhe Presidentit Obamës janë tensionuar që kur u bë publike vitin e kaluar se Shtetet e Bashkuara kishin përgjuar telefonin celular të zonjës Merkel.

Megjithatë Ukraina dominoi në bisedimet e udhëheqësit amerikan me kancelaren gjermane dje në Shtëpinë e Bardhë dhe të dy ata u përpoqën të tregojnë se mbeten të bashkuar në qëndrimin e tyre ndaj Rusisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën këtë javë sanksione shtesë, por aktet e reja të dhunës nga forcat pro-ruse tregojnë se ndëshkimet nuk po ndikojnë tek sjellja e Rusisë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Obama dhe Merkel diskutuan hapat e ardhshëm dhe i dërguan një mesazh Rusisë.

“Udhëheqja ruse duhet ta dijë se nëse vazhdon të destabilizojë Ukrainën lindore dhe të pengojë zgjedhjet presidenciale këtë muaj, ne do të veprojmë menjëherë me masa shtesë, përfshirë sanksione të reja me kosto më të rëndë”-u shpreh Obama.

Obama nuk dha hollësi se çfarë forme do të marrin masat e reja por tha se po bëhen planifikime për sanksione më të rënda që kanë në shenjestër sektorë të tërë të ekonomisë ruse. Këto sektorë përfshijnë shitjen e armëve dhe sektorin bankar.

Po ashtu Merkel pohoi se sanksione të reja mund të jenë të nevojshme.

Udhëheqësja gjermane tha se zgjedhjet e 25 majit po afrojnë dhe nëse nuk stabilizohet situata, vendosja e sanksioneve të reja mund të jetë e pashmangshme.

Share Button