Obama arrin në Poloni

Presidenti amerikan Barak Obama mbërriti në Poloni, ndalesa e parë e rrugëtimit katër ditor të presidentit amerikan në Europë, që do ta çojë shefin e Shtëpisë së Bardhë edhe në Belgjikë e Francë. Nisja e këtij turneu nga Varshava nuk ishte rastësore. “Po e filloj këtu vizitën time për shkak të angazhimit tonë ndaj sigurisë së këtij vendi dhe në përgjithësi aleatëve tanë në Europën qendrore e lindore. Ky angazhim është një gur themeli i vetë sigurisë së Shteteve të Bashkuara, ndërsa siguria e aleatëve është e shenjtë për ne. Gjatë ndalesës sime tre vjet më parë thashë se Amerika do ta rriste përkushtimin e saj për sigurinë e Polonisë. Shtetet e Bashkuara i mbajnë premtimet e tyre dhe ky i fundit është një zotim i një rëndësie të veçantë nisur nga rrethanat aktuale”,  shpjegoi Obama.
Duke shfrytëzuar pikërisht këtë moment, Obama njoftoi planet e krijimit të një fondi 1 miliardë dollarësh i cili do të përdoret për shtimin e dislokimeve ushtarake amerikane në kontinentin e vjetër. Dy muaj më parë, 150 ushtarë amerikanë u dërguan në Poloni në mesin e përshkallëzimit të tensioneve me Moskën. Nga Varshava, presidenti amerikan i dërgoi Kremlinit një tjetër paralajmërim ndaj provokimit të mëtejshëm të situatës në Ukrainën lindore dhe i kërkoi gjithashtu të përdorë influencën e tij për t’i nxitur separatistët të ulin armët.
Kreu i shtetit polak, Bronislav Komorovski, u zotua ta rrisë me 20% të GDP-së buxhetin ushtarak të shtetit fqinj me Ukrainën, premtim ky i mirëpritur nga Obama, që e cilësoi “kujtesë të faktit se çdo vend anëtar i NATO-s duhet të bëjë pjesën që i takon në Aleancën Atlantiko-Veriore”.

Share Button