I nxehti “pushton” Shqipërinë, temperaturat arrijnë mbi 41°C

Java e parë e gushtit do të rikthejë të nxehtin afrikan me temperatura që arrijnë mbi 41°C.

Sot dhe nesër pritet që temperaturat të shënojnë vlerat maksimale, ndërsa sinoptikantët thonë se edhe netët do të jenë të nxehta.

“Vijon problematike situata termike. Parashikohet që dita e sotme dhe nesër të kemi edhe kulmin e temperaturave, të cilat do tejkalojnë dhe 40 gradë. Qytetet problematike do jenë Shkodra, Elbasani, Fieri, Kuçova, Gjirokastra e Lushnja. Në mesditë vlerat priten nga 38 deri në 40 apo edhe mbi 40 gradë.

Pritet që nga nesër e deri në fundjavë të kemi rritje të temperaturave minimale dhe netët do jenë të vapshme pasi temperaturat do ta kalojnë në shumë qytetet të ultësirës perëndimore vlerën 20 °C. 

Fundjava sjell rënie të temperaturave duke bërë që temperatura maksimale të jetë 38-39 gradë celsius në qytetin e Gjirokastrës. S’përjashtohet që të kemi temperatura edhe 35 gradë, por temperaturat ekstremisht të larta të jenë gjatë kësaj jave”, tha sinoptikania Lajda Porja.

Ndërsa përgjatë muajit gusht edhe pse temperaturat do të ulen me disa gradë, do të vijojë mungesa e reshjeve të shiut.

“Edhe ky muaj parashikohet të jetë relativisht i thatë, do kemi shumë pak reshje edhe gjatë 10 ditëshit të parë do jenë të fokusuara në zonat malore me rrebeshe afatshkurtër në Lindje dhe Juglindje të vendit”.

Share Button