Nuk lejohet më përdorimi i telefonave në Kuvend

I lajmëruar prej ditës së enjte nga salla parlamentare, propozimi për një kod të sjelljes së deputetëve të Shqipërisë është depozituar në Kuvend dhe përfshirë në axhendën e tij.
Kodi, i cili rregullon jetën brenda dhe jashtë sallës së parlamentit të deputetëve, i referohet rregullores së kuvendit sa i përket masave ndëshkuese të parashikuara në raste shkeljesh.

I depozituar në datën 4 tetor 2017, projektvendimi “Për miratimin e Kodit të sjelljes së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka ardhur me kërkesë të deputetëve të majtë, si në mazhorancë ashtu edhe në opozitë.I dakordësuar në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve të mbajtur një ditë para seancës plenare të 6 tetorit, projektvendimi synon të përcaktojë rregulla për standartet e sjelljes gjatë veprimtarisë së tyre si dhe për të fituar besimin e publikut përmes transparencës dhe mbajtjes së përgjegjësive.Kodi përqendrohet kryesisht tek konflikti i interesave, deklarimi dhe kontrolli i pasurive, veprimtaritë jashtë-parlamentare por edhe ato brenda në Kuvend.

E është pikërisht neni 10 i këtij projektvendimi, ku përcaktohen rregullat e sjelljes së deputetëve në kuvend, të cilat vijnë si zgjerim apo zgjatim i nenit 62 të Rregullores së Kuvendit. Por ndërsa në rregulloren e Kuvendit veprimet ofenduese ndaj çdo deputeti konsiderohen të barabarta,Pika c) e projektvendimit të propozuar tregon një kujdes të veçantë për drejtuesin e seancës kur shprehet se..‘..deputeti nuk duhet të përdorë fjalë fyese që cenojnë personalitetin e drejtuesit të seancës…’Një tjetër parashikim i nenit 17 pika 1 kërkon që..‘…deputeti të mos shfaqë asnjë formë diskriminimi dhe stereotipizmi në gjuhën e përditshme, në fjalime politike apo dhe gjatë diskutimeve në Kuvend…’

E në rast se kjo ndodh, pika 3 e po këtij neni rezervon të drejtën që për çdo shkelje të listuar në pikën 1 të nenit, të zbatojë masat disiplinore sipas procedurave të përcaktuara në Pjesën e Parë, Kreu IX të Rregullores së Kuvendit e cila parashikon minimalisht tërheqje vëmendje dhe në rastin më të keq përjashtim nga pjesëmarrja deri në 10 ditë.E nëse ky Kod miratohet kështu si është shkruar, duket se veç fjalëve fyese, diskriminimit apo stereotipizmit që përbëjnë pjesën dërrmuese të fjalimeve në foltoren e seancave plenare, një tjetër ndryshim do të vijë për jetën parlamentare shqiptare.Neni 11 i Kodit të Sjelljes për deputetët përcakton se..‘… gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit në komisione dhe seancë plenare, deputeti duhet të paraqitet me veshje zyrtare…’Edhe pse nuk është e qartë se çfarë ndodh në rastin kur ka shkelje, duket se tashmë të vetmit deputet që mund të vijojnë të shohin kryeministrin Rama me tuta apo atlete, do jenë ata europianë.Gjithashtu në këtë kod thuhet që ‘gjatë zhvillimeve të seancave plenare dhe mbledhjeve organe të Kuvendit, si rregull, deputeti nuk duhet të përdorë telefoninë e lëvizshme’. /AbcNews

|

Share Button