Një në 11 njerëz në botë i sëmurë me diabet

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 1 në 11 njerëz në mbarë botën vuajnë nga diabeti. Ndërkaq informacionet që Anadolu Agency (AA) ka përpiluar nga të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tregojnë se numri i personave me diabet që në vitin 1980 ka qenë 108 milionë, në vitin 2014 është rritur në 422 milionë.

Një në 11 njerëz në mbarë botën vuan nga sëmundja e diabetit, ndërsa kjo normë në vitin 1980 ka qenë 4.7 për qind dhe në vitin 2014 është rritur në 8.5 për qind. Ndërkohë krahas kësaj, diabeti ka qenë shkaktar i drejtpërdrejtë për vdekjen e 1.6 milionë personave në vitin 2015, ndërsa vdekja e 2.2 milionë njerëzve në vitin 2012 është shkaktuar nga sheqeri i lartë në gjak, ku pothuajse në rreth gjysmën e këtyre personave vdekja ka ndodhur në moshën para 70 vjeç.

OBSH parashikon se diabeti në vitin 2030 do të jetë shkaku i 7-të më i madh i vdekjeve në botë.

– Diabeti

Diabeti Tip 1 cilësohet si diabeti i cili vërehet në situatën ku pankreasi nuk prodhon insulinën që rregullon sheqerin në gjak. Ndërsa diabeti më i përhapur është diabeti Tip 2, ku trupi tek të sëmurët me këtë lloj diabeti nuk mund të përdorë në mënyrë efikase insulinën që pankreasi prodhon. Diabeti i cili në popull njihet si “sëmundja e sheqerit” dhe cilësohet si “sëmundja e të pasurve”, në vitet e fundit po rritet shumë më shpejt në vendet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.

Sëmundja në fazat e avancuara shkakton verbëri, probleme të veshkave, sulm në zemër, paralizën dhe probleme të tjera. Të rriturit me diabet mbartin rrezikun 2 deri 3 herë më shumë që të kenë një sulm në zemër ose paralizë në krahasim me ata që nuk e mbartin atë.

Diabeti, i cili shkakton dëme serioze në zemër, enët e gjakut, sytë, veshkat dhe nervat, kur ai bashkohet me tensionin e ulët, mund të çojë deri në ulcera në këmbë. Tek diabetikët ulcera e këmbëve mund të përparojë deri në dëmtimin e këmbës.

– Llojet dhe masat kundër diabetit

Shkaku i diabetit Tip 1, i cili kërkon marrjen e përditshme të insulinës, nuk dihet saktësisht dhe masat kundër kësaj sëmundjeje nuk mund të merren. Diabeti i tipit Tip 2, i cili shihet në formën e përdorimit joefikas të insulinës, zakonisht shfaqet si rezultat i mbipeshës dhe pasivitetit fizik. Përparimi ose shfaqja e diabetit Tip 2 mund të shmangen duke u ushqyer shëndetshëm, me aktivitetin fizik të rregullt, peshën normale të trupit dhe ndalimin e pirjes së duhanit. Ndërsa një lloj tjetër i diabetit i njohur si diabeti i shtatzënisë shihet vetëm tek gratë shtatzëna, ku fëmijët e grave shtatzëna me diabet kanë më shumë gjasa të kenë diabet Tip 2 në të ardhmen.

– Gratë dhe diabeti

Mësohet se ka mbi 199 milionë gra me diabet në botë. Është vlerësuar se ky numër do të arrijë në 313 milionë deri në vitin 2040. Dy në 5 femra me diabet janë në periudhën e lindjes. Çdo vit, 2.1 milionë gra humbin jetën për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga diabeti. Gratë me diabet Tip 1 gjithashtu kanë më shumë gjasa të kenë një abort ose normë më të lartë për një lindje me probleme.

– Dita Botërore e Diabetit

Pas rritjes së shpejtë të diabetit Federata Ndërkombëtare e Diabetit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) në vitin 1991, shpallën 14 nëntorin si “Dita Botërore e Diabetit” dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi këtë vendim në vitin 2006. Këtë vit tema e Ditës Botërore të Diabetit është “Gratë dhe Diabeti”.

Share Button