Nisin arrestimet në Katalonjë, 8 ministra në pranga

Tetë ministrat e shkarkuar katalanas do të vazhdojnë të mbeten në paraburgim pavarësisht protestave masive në mbështetje të tyre.
Mijëra vetë mbushen sheshin përpara Parlamentit në Barcelonë me thirrjet për lirimin e të burgosurve politike. Tubime të ngjashme u mbajtën edhe në qytete të tjera të rajonit.
Prokurorët po kërkojnë edhe lëshimin e urdhër arresti europian për ish presidentin Carles Puigdemont që ndodhet në Belgjikë dhe nuk u paraqit në gjykatë të enjten.

Kërkesa e tyre mbulon edhe katër ish ministra që nuk iu përgjigjen thirrjes së gjykatës. Pesë anëtarë të lartë të Parlamentit katalanas si dhe kryetari Carme Forcadell, përballen me akuza të ngjashme por për shkak të imunitetit që gëzojnë, rastet do t’i kalojnë për shqyrtim gjykatës supreme.

Seancat dëgjimore të ligjvënësve në fjale do të shtyhen deri në 9 nëntor. Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni katalanas, Puigdemont i përshkroi nga Belgjika arrestimet e ministrave si “akt që shkel parimet bazë të demokracisë” dhe kërkoi lirimin e tyre të menjëhershëm.

Ai vetë pretendon se nuk do të kthehet në Spanjë deri në momentin që do të marrë garancitë e një gjykimi të drejte e të ndershëm. Zyra e prokurorit federal në Belgjikë e bëri të qartë se në momentin e lëshimit të një fletëarresti europian, ligji do të vihet në zbatim. Brukseli ka maksmimumi 60 ditë në dispozicion për t’i kthyer në Spanjë pas ndalimit Puigdemontin dhe katër ministrat që e shoqërojnë.

Por nëse ata nuk ngrenë pretendimet ligjore, transferimi mund të kryhet edhe brenda pak ditësh. Ekziston një listë europiane prej 32 shkeljesh që justifikon ekstradimin, por as ndarja dhe as rebelimi, dy akuzat e ngritura nga Madridi kundër liderëve katalanas, nuk figurojnë në të. Mënyra sesi Puigdemont e menaxhoi krizën ka tërhequr kritikat e disa politikanëve të tjerë katalanas përfshirë zëvendëskryetarin e majtë të Parlamentit Joan Josep Nuet që thotë se thjesht krijoi më shumë pështjellim. Banka Qendrore e Spanjës paralajmëroi për rreziqe të rëndësishme dhe kosto të lartë ekonomike si pasojë e krizës e tha se ekonomia e rajonit të pasur verior mund të hyjë në recesion.

Share Button