Nishani mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Agron Balës

Presidenti Bujar Nishani shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur Agron Bala duke vlerësuar kontributin e tij jo vetëm në fushën e medias, por edhe në shoqëri.

“Gazetaria e lirë dhe pluraliste e pas viteve të rrëzimit të diktaturës komuniste, në themelet e saj ka edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Agron Balës. Agroni do të mbahet mend si gazetar, themeluesi i radios së parë private në Shqipëri, profesor i gazetarisë, e njëkohësisht si skenarist i dhjetëra dokumentarëve televizivë”- shprehet Nishani në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Gazetari Agron Bala ndërroi jetë në Itali disa ditë më parë si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Mesazhi i plotë

“E nderuara familja Bala. Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit Agron Bala, në kohën kur më së shumti mund të jepte për familjen e tij të nderuar, për gazetarinë dhe të gjithë shoqërinë shqiptare. Për brezin e gazetarëve të pas viteve ’90-të, emri i Agronit është ndër më të njohurit dhe me shumë kontribute në gazetarinë radio-televizive.

Agroni do të mbahet mend si gazetar, themeluesi i radios së parë private në Shqipëri, profesor i gazetarisë, e njëkohësisht si skenarist i dhjetëra dokumentarëve televizivë. Ai ishte një drejtues i njohur i emisioneve televizive dhe njëri ndër gazetarët e parë të Shqipërisë në selitë e organizatave evropiane në Bruksel.

Gazetaria e lirë dhe pluraliste e pas viteve të rrëzimit të diktaturës komuniste, në themelet e saj ka edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Agron Balës. Shpirti i Agronit u prehtë në parajsën e përjetshme! Ju zonja Irma, dhe vajzës suaj Jonës, ju dhëntë Zoti forcë dhe qetësi shpirtërore!

Share Button