Nishani dhe Meta mesazh urimi për muajin e Ramazanit

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kanë uruar besimtarët muslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në urimin e Nishanit thuhet, se fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit, shënon nisjen e sakrificave, reflektimit dhe dhënies së provave pafund të forcës së besimit.

“Nënvizoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ky rit shumëshekullor ka për shpirtrat e miliona besimtarëve anembanë botës, për forcën e brendshme të tyre si dhe për kthjellimin e mendjeve të tyre duke farkëtuar gjithmonë e më shumë besimin te i Plotfuqishmi. Sakrificat tuaja të përditshme gjatë gjithë këtij muaji të shenjtë rrisin dhe jetësojnë mrekullinë sa hyjnore aq edhe tokësore të besimit tuaj të palëkundur duke rritur nëpërmjet sprovave dashurinë për njëri-tjetrin, dhembshurinë e mëshirën për më të pafatët”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentit të Shqipërisë, drejtuar besimtarëve muslimanë.

Ndërsa në urimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë për besimtarët theksohet se “Muaji i sakrificës të sjellë në zemrat e tyre më shumë dashuri për njëri-tjetrin, më shumë paqe sociale dhe besim, më shumë gëzim në familjet e tyre dhe shëndet e më shumë solidaritet për të gjithë ata që sot ndiejnë nevojë për më shumë vëmendje, përkujdesje e përkushtim”.

Anadolu Agency

Share Button