Nis numërimi i votave në Irak

Në Irak nisi numërimi i votave për të nxjerrë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të mërkurën. Kryeministri Nuri al-Maliki, është shprehur se është i sigurtë në fitoren e tij. Iraku ka mbajtur  zgjedhjet e para parlamentare që nga tërheqja e forcave amerikane nga Iraku, tre vite më parë. Grupet militante që ishin zotuar se do ta prishin procesin e votimit, janë sfiduar nga rreth 60 për qind e popullatës irakene që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Më shumë se 9 mijë kandidatë nga 277 parti politike, kanë konkurruar për 328 vendet e legjislaturës irakene.
Maliki i cili është udhëheqës i partisë islamike Dawa, ka kandiduar për një mandat të tretë si kryeministër. Ai është shprehur i sigurtë në fitore dhe vetëm ka shtuar se po e pret “madhështinë e fitores”. Qindra mijëra policë dhe ushtarë irakenë kanë qenë të pranishëm në të gjithë Irakun me qëllim të mbrojtjes së miliona votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Si rezultat i incidenteve, janë vrarë të pakten 14 persona, ndërsa janë plagosur 16 të tjerë.

Share Button