Nis Maratona, Veliaj premton shumë aktivitete në Tiranë

Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 2500 vrapues nga 40 vende të ndryshme të botës po vrapojnë sot në kryeqytet në Maratonën e Tiranës, e cila ndahet në 3 kategori.

Për të dhënë shembullin e tij, në këtë garë merr pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës në kategorinë e 10 km, po ashtu edhe shumë personalitete të tjera të politikës, artit dhe sportit.

Në fjalën e tij përpara nisjes së maratonës, kryebashkiaku Veliaj e konsideroi Maratonën një ngjarje fantastike për kryeqytetin, ndërsa vlerësoi të gjitha strukturat që janë organizuar. “Ka qenë një përgatitje fantastike.

Shpresoj të dalë më mirë se vjet megjithatë dua që gjithashtu t’i japim një duartrokitje atyre që s’janë këtu, por janë 660 vullnetarë, janë 400 policë, janë plot zjarrfikës, shërbimet emergjente, plot pastrues dhe mirëmbajtës që kanë bërë një punë fantastike”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë deklaroi se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ku shërbimet e emergjencës janë në gatishmëri.

“Ata që duan të thyejnë rekord, ju uroj shumë sukses, për ata të tjerët që mund të lodhen rrugës, të marrin pak pushim, të marrin pak ujë, të kërkojnë ndihmë nga shërbimet e emergjencës nëqoftë se kanë nevojë, ne të sigurohemi që sot të kënaqemi dhe të keni një ditë fantastike në Tiranë”, tha Veliaj.

Veliaj bëri të ditur se në përfundim të kësaj gare, të gjithë vrapuesit, por edhe qytetarët e ndryshëm do të kenë mundësi të ndjekin një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia e Tiranës, duke e kthyer këtë ditë në një festë për të gjithë.

“Uroj shumë që ta shijoni maratonën, për ata që janë vizitorë, o nga trevat shqiptare, o nga jashtë, ta shijoni shumë Tiranën. Ne do të kemi aktivitete sot gjatë gjithë ditës, mbasi të mbarojmë garat do të ketë disa festa të ndryshme në qytet.

Ju lutem takoni dikë tani që nuk e keni takuar ndonjëherë, gjeni dikë që nuk e njihni, jepini dorën, dhe i thoni, “Mirë se ke ardhur në Tiranë”, dhe t’i japim një mikpritje fantastike shqiptare të gjithë atyre që duan që sërish të kthehen dhe të vizitojë qytetin tonë”, u shpreh ai.

Për të ndjekur maratonën, përgjatë rrugëve ku po zhvillohet maratona, janë me qindra qytetarë të cilët kanë dalë në mbështetje të vrapuesve, në një garë sa sfiduese, por edhe inkurajuese për të gjithë brezat.

Maratona është konceptuar e ndarë në disa kategori, duke i dhënë mundësi gjithkujt që të sfidojë vetveten dhe të përcjellë tek të tjerët mesazhin për një jetë të shëndetshme përmes sportit.

Në kategorinë “We too”, marrin pjesë njerëzit më aftësi ndryshe.

Kjo kategori ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive. Dhe ashtu siç e kërkon një Maratonë e vërtetë, nuk mungojnë dhe dy kategoritë “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”, ku marrin pjesë qytetarë shqiptarë dhe të huaj mbi moshën 18 vjeç.

Pas suksesit të vitit të kaluar, Maratona e Tiranës ka certifikuar itinerarin e saj të ri nga Association of International Marathon and Distance Race dhe është bërë pjesë e shtëpisë botërore të atletikës International Association of Athletics Federations.

Midis vrapuesve marrin pjesë edhe disa personazhe të njohur dhe kanë dhe një detyrë të rëndësishme për të bërë: një sasi të përcaktuar kilometrash. Gazetarët Ermira Kazhani dhe Endri Xhafo po vrapojnë për 21 km, po ashtu edhe atletja Luiza Gega.

Krahas kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, do të vrapojn për 10 kilometra edhe prezantuesit Anjeza Maja, Dorian Ramaliu, Iva Korumi, Florian Agalliu si edhe futbollisti Kristi Vangjeli. Vrapit prej 10 kilometra i është bashkëngjitur edhe rekordmenia, atletja Klodiana Shala. /albeu.com/

Share Button