Nis aksioni i policisë në Lazarat

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka konfirmuar nisjen e një operacioni policor në Lazarat për asgjesimin e sipërfaqeve të mbjella me lëndë narkotike.

Policia thekson se gjatë aksionit ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të uniformave blu nga banorë të Lazaratit, të cilët tashmë janë identifikuar.

Si pasojë e këtyre të shtënave mbeti i plagosur një 45-vjeçar nga Lazarati.

Sipas policisë të shtënat janë bërë nga banorë vendas por edhe të zonave përreth ndersa autorët janë lokalizuar në banesën e Gate Mahmutaj, person me precedent penal.

Policia sqaron se Mahmutaj ka qenë i dënuar me 22 vite burgim dhe ka përfituar nga amnistia.

Strukturat e Policisë së Shtetit, përkatësisht forca të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të mbështetura dhe nga forcat speciale RENEA dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, po vijojnë veprimet me qëllim asgjesimin e sipërfaqes së identifikuar të kultivuar me bimë nakotike kanabis sativa dhe kapjen e personave që qëlluan në drejtim të forcave të policisë.

Ndërkaq nga ana e policisë është kërkuar bashkëpunimi i pushtetit lokal dhe i banorëve të fshatit Lazarat, që të distancohen nga ky grup personash dhe të japin kontributin e tyre në drejtim të kapjes së tyre.

 

 

 

Share Button