Nigeri, shfaqet epidemia e virusit të majmunëve

Epidemia e virusit të lisë së majmunit Monkeypox që u shfaq në provincën Bajelsa në jug të Nigerisë është përhapur të paktën në shtatë provinca të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave vendore, zyrtarët e Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve në Nigeri të paktën në shtatë provinca kanë gjetur raste të kësaj epidemie dhe njoftohet se numri i rasteve ka arritur në 31.

Zyrtarët bëjnë të ditur se “Epidemia e shfaqur në provincën Bajelsa është përhapur edhe në provincat Rivers, Ekiti, Akwa Ibom, Lagos, Ogun ve Cross Rivers dhe virusi u identifikua tek gjithsej 31 persona”.

Zyrtarët thonë se personat e prekur nga ky virus janë vendosur në karantinë dhe vazhdon trajtimi i tyre.

Deri më tani nuk ka raste të vdekjes si pasojë e kësaj epidemie.

Ky virus i cili mund të jetë vdekjeprurës kohë pas kohe shfaqet në fshatrat në afërsi të pyjeve me të reshura tropikale të shiut në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore.

Rasti i parë i virusit të majmunit, Monkeypox i cili mendohet se ka kaluar nga kafshët tek njerëzit është regjistruar në vitin 1970.

Deri më tani nuk është gjetur ndonjë trajtim apo vaksinim kundër këtij virusi, ndërkaq thuhet se vaksina e lisë është 85 për qind efektive në parandalimin e virusit të lisë së majmunit.

Share Button