Nëna e ve siriane: Mendoj fëmijët dhe heq dorë nga vdekja

Nënat e jetimëve në kampin Shuheda në Idlib të Sirisë pranë kufirit me Turqinë, në të cilin strehohen familjet e jetimëve, brengosen se si t’u sigurojnë një mjedis të shëndetshëm fëmijëve të tyre. Nëna e ve Merjem, furnizohet me shpresë për jetë nga tre fëmijët e saj jetimë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kampi “Shuheda” (Dëshmorët) në rrugën për në fshatin Atme në afërsi të Idlibit, strehon mbi 150 jetimë dhe nënat e tyre.

Një pjesë e madhe e familjeve në kamp kanë humbur shpresat nga baballarët e burgosur nga regjimi i Bashar Asadit dhe për fatin e të cilëve nuk kanë marrë lajm prej vitesh.

Tendat e shpërndara nga organizatat humanitare përgjatë kufirit janë të rrethuara me tulla. Jeta në këto tenda vazhdon edhe përkundër të gjitha ngjarjeve.

Në kampin e improvizuar, të pluhurosur dhe baltosur, gjendet një shkollë me katër klasa, të cilat janë dekoruar nga nxënësit dhe mësimdhënësit.

Merjem Sellum, e ëma e tre nxënësve me emrat Ali, Omer dhe Sidra, në moshë shtatë, tetë dhe dhjetë vjeç, gjendet në këtë kamp prej afër gjashtë vitesh.

Sellum, 32 vjeçe, thotë se burri i saj ishte burgosur nga regjimi në Hama para gjashtë vitesh dhe që atëherë nuk di gjë lidhur me të.

“E morën atë nga rajoni Kalet Madik në Hama. Nuk e di ku ndodhet. Ai punonte në Damask. Më pas nisi të punojë në një furrë. Kur i mbaroi kontrata, mënjëherë ditën tjetër u burgos. Ushtria hyri në rajonin tonë. Mori shumë të rinj. Morën burrin tim dhe vëllain e tij. Që atëherë, nuk kemi marrë lajm lidhur me të. Supozojmë të ketë vdekur”, tregon Sellum.

Ajo rrëfen se pas burgosjes së burrit të saj, kishin migruar në një fshat të Idlibit, ku kanë qëndruar për dy muaj, ndërsa për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga ana e regjimit, ata janë strehuar në kampin “Shuheda”, të cilin e kanë konsideruar si më të sigurtë.

Sellum thotë se edhe nëna dhe babai i saj gjenden në një kamp në afërsi.

“Është e pamundur të qëndrojmë së bashku. Tendat janë shumë të vogla. Por çdo javë i vizitoj”, thekson ajo.

E pyetur se pse ka zgjedhur të vijë në Idlib dhe se nëse nuk ka pasur ndonjë vend tjetër të sigurtë, Sellum thotë: “Ky vend është i besueshëm, pasi që gjendet në kufirin me Turqinë. Pasi që Turqia është afër, nuk ka avionë, nuk ndodhin sulme shumë. Nuk mund të kthehemi në fshat. Ai tani më është nën kontrollin e regjimit”.

– “Ndonëse ndonjëherë e mendoj vdekjen, në mendje më sillen fëmjët, andaj heq dorë”

Sellum thotë se jeta për një grua të ve me tre fëmijë është shumë e vështirë.

“Është vështirë të sigurohet mbijetesa. Kërkesat e fëmijëve janë rritur. Duan biçikletë, telefon. Nuk mund t’ua siguroj. Psikologjikisht, jemi në gjendje të keqe. Çdo periudhë përjetojmë gjëra të ndryshme. Ndonjëherë pikëllohem, e ndonjëherë më humb shpresa, e ndonjë herë më kaplon edhe depresioni. Fëmijët janë mbështetja e vetme që më largojnë nga depresioni. Ndonëse ndonjëherë e mendoj vdekjen, në mendje më sillen fëmjët, andaj heq dorë”, tregon Sellum.

“Për shembull, kur qaj, fëmijët brengosen. Duan ta dinë pse qaj. Kur sëmurem, ata i kryejnë punët”, shton ajo.

– “Ndonjëherë nuk më kujtohet fytyra e burrit tim”

Sellum thotë se ditët në kamp kalojnë të qeta dhe se gjatë ditës preferon vetminë dhe të mos dalë shumë.

“U ndihmoj fëmijëve në mësimet e tyre. Aq sa mundem, mundohem që fëmijët të mos e vërejnë lodhjen time. Zgjohem në mëngjes dhe përcjell dy fëmijët për në shkollë. Ata kthehen pasdite, ndërsa tjetri fëmijë shkon në shkollë. Ndonjëherë vijnë fqinjët. Qajmë hallet”, tregon Sellum.

Duke theksuar se e mendon burrin kur e kaplon depresioni, Sellum thtoë: “Ndonjëherë nuk më kujtohet fytyra e burrit tim. Kam fotografi, i shikoj ato. Zaten, unë kam sjellë vetëm fotografitë me vete. Përpiqem që fotografitë të mos ua tregoj fëmijëve. Mirëpo, ata i marrin dhe i shikojnë”, shprehet Sellum.

– “Lëngun e pemëve që e ndajnë në shkollë, ia dërgoj nënës”

Omeri, djali dhjetëvjeçar i Sellumit, duke sjellë albumin e fotografive të përmendur nga nëna e tij, thotë se nuk ndien asgjë kur e shikon dhe se askush nuk i vjen në mendje. “E shoh vetëm nënën time”, thotë ai.

Ndërkaq, Ailu, vëllai tetëvjeçar i Omerit, thekson: “Kur i shikoj fotografitë, imagjinoj babain tim. Babai dhe xhaxhai im janë në burg. Nuk kemi lajm nga ta”.

Aliu ëndërron që një ditë babai i tij do të kthehet. Ai thotë se është në klasë të dytë dhe se është nxënësi më i mirë i klasës.

Duke folur për një ditë të tij në kamp, Aliu shprehet: “Zgjohem në orën katër. Laj fytyrën dhe vishem. Zgjoj motrën time. Jemi në shkollë deri në orën dymbëdhjetë. Detyrat i kryej në shkollë brenda një ore. Lëngun e pemëve që e ndajnë në shkollë, ia dërgoj nënës. Biskotat i ndaj me vëllanë dhe motrën. Pasdite luaj me shokët. Unë dua të bëhem polic”.

– “Ushtarët turq kanë hyrë për të na mbrojtur nga Asadi”

Lidhur me trasnferimin e trupave turke në rajon për monitorimin e armëpushimit në zonat e deeskalimit në Idlib në kuadër të marrëveshjeve në Astana, Aliu thotë: “E di. Ushtarët turq kanë hyrë për t’i mbrojtur kampet. Bashar Asadi bombardon. Godet me avionë dhe raketa. Gjysma e njerëzve kanë vdekur”, thekson ai.

“Ushtarët turq kanë hyrë për të na mbrojtur nga Bashar Asadi”, shtoi Aliu.

Share Button