Në Shqipëri shënohet Dita e Evropës

Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian kanë organizuar sot një aktivitet me rastin e Ditës së Evropës, ku merrnin pjesë kryeparlamenatri Ilir Meta, ministra, deputetë, ambasadorë të akredituar në Tiranë, etj, raporton Anadolu Agency (AA).

Meta në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitetin e mbajtur në ambientet e jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh se me këtë ditë festohet “një ide dhe vizion i jashtëzakonshëm. ”

“E ardhmja i përket brezi të ri. Shpresat dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen duhet të motivojnë dhe rrisin peshën e përgjegjësisë tonë politike dhe qytetare më shumë. Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin e madh të bëhet shembull për brezin e ri duke u kthyer në shtëpinë e demokracisë së vërtetë, atë të dialogut politik, të tolerancës dhe mirëkuptimit dhe përgjegjshmërisë së lartë. E kam bindje të thellë se vetëm fuqia e rinisë mund ta ndryshojë këtë vend dhe të çojë përpara ëndrrën dhe projektin evropian”, theksoi Meta.

Ai ka shtuar me tej se falë projektit evropian për paqe dhe stabilitet ekonomik, të rinjtë nuk kanë nevojë më të zgjedhin armët, por sipas tij, zgjedhin dijen dhe demokracinë dhe avantazhet që jep liria e lëvizjes.

“Duke vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen e tij të përbashkët evropiane, si prioritet kryesor i gjithë axhendave të veçanta politike, asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme e gjithëpërfshirëse, me qëllim që Shqipëria të ecë denjësisht drejt anëtarësimit të saj në BE”, tha ndër të tjera Meta.

Gjithashtu, po në kuadër të Ditës së Evropës në Kuvendin e Shqipërisë është organizuar “Dita e dyerve të hapura” në ambientet e sallës së seancave plenare, ku qytetarët kanë vizituar ambientet e sallës ku zhvillon punimet Kuvendi i Shqipërisë.

Share Button