Në Kosovë themelohet komisioni për matjen e territorit

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës vendosi të themelojë një komision të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili do të përbëhet nga shumë institucione si Akademia e Shkencave të Kosovës, nga Fakulteti Matematiko-Natyror, Agjencia e Statistikave, Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT), parti opozitare dhe institucione tjera. Afati kohor i këtij komisioni për ta matur territorin e Kosovës është deri në fund të janarit të vitit 2017, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky komision do të mbikëqyret nga ekspertët ndërkombëtarë nga Bashkimi Evropian (BE), KFOR-i dhe EULEX-i.

Me këtë rast, gjatë mbledhjes së Qeverisë kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa tha se objektivi kryesor i këtij komisioni është që të vërtetojë se sa është territori i Republikës së Kosovës dhe a ka pasur ndryshim në sipërfaqen e Kosovës, në krahasim me atë që e ka pasur para datës 25 gusht të vitit të kaluar dhe pasi që është nënshkruar marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Duke vënë në dukje rëndësinë së informimit të Qeverisë nga ky komision, Mustafa theksoi se “Në mënyrë që para opinionit publik por edhe të deputetëve tanë të sqarojmë se a ka humbur Kosova territor apo nuk ka humbur me nënshkrimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Mendoj se është një veprim shumë i mirë”.

Formimi i këtij komisioni dhe matja e territorit ka ardhur pas akuzave të opozitës se me marrëveshjen e Demarkacionit Kosova do të humbë 8 mijë hektarë të teritorrit të saj.

Share Button