Në brigjet e Libisë shpëtohen 213 emigrantë

 Forcat detare të Libisë njoftuan se kanë shpëtuar 213 emigrantë të cilët përpiqeshin të dilnin ilegalisht jashtë vendit në afërsi të brigjeve të qytetit El-Garabulli, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Forcave detare të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar në Libi, Ejup Kasım, deklaroi se “Sipas të dhënave paraprake në afërsi të brigjeve El-Garabulli në lindje të Tripolit dje janë shpëtuar 213 emigrantë ilegalë shumica e të cilëve nga Afrika”.

Brigjet perëndimore të Libisë që prej shumë vitesh janë skenë e tentativave të migrimit ilegal të personave që duan të strehohen në vendet e Evropës. Emigrantët synojnë që të mbërrijnë në brigjet e Italisë dhe më pas në vendet e tjera të Evropës.

Gjatë vitit 2016 thuhet se 181.405 persona kanë kaluar ilegalisht në Itali nga pjesa e Mesdheut mes Libisë dhe Italisë. Ndërsa po të njëjtin vit bëhet e ditur se mbi 5 mijë emigrantë kanë humbur jetën gjatë “udhëtimit të shpresës” duke tentuar të kalojnë në Mesdhe.

Share Button