Në Arakan të Mijanmarit po bëhet “krim ndaj njerëzimit”

Rrjeti i të Drejtave të Njeriut në Mijanmar (BHRN) thotë se në operacionet që po vazhdojnë në shtetin e Arakanit që nga muaji tetor janë bërë shkelje serioze të të drejtave të njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të përgatitur nga BHRN në bazë të deklaratave të dëshmitarëve okularë, ushtria e Mijanmarit ka shkelur në mënyrë serioze të drejtat e njeriut duke djegur shtëpitë e muslimanëve të Arakanit (Rohingya), duke kryer përdhunime, dhunë gjinore dhe duke vrarë dhe torturuar popullatën civile.

Në raportin e zyrtarëve të BHRN-së të cilët janë takuar me mbi 20 pjesëtarë Rohingya të cilët kanë ikur drejt Bangladeshit nga qyteza Maugdaw në veri të Arakanit, thuhet se ushtria fillimisht ka hyrë në konflikt të shkurtër vetëm me sulmuesit e stacioneve, ndërsa më pastaj ka sulmuar civilët pa bërë dallim.

Në raport po ashtu thuhet se ngjarjet e fundit në Maungdaw kanë shkaktuar që të paktën 30 mijë persona t’i braktisin shtëpitë e tyre dhe që 70 mijë persona të kenë nevojë emergjente për ushqim dhe ndihma humanitare.

Sipas raportit, vetëm në periudhën 12-13 nëntor 15 mijë persona janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre. Në raport nënvizohet se shkeljet për të cilat kanë dëshmuar dëshmitarët okularë përbëjnë “krim kundër njerëzimit” sipas nenit 7 të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

“Qeveria e Mijanmarit duhet ta lejojë vëzhgimin e incidenteve nga ndonjë organizatë e pavarur ndërkombëtare dhe hyrjen e mediave ndërkombëtare dhe lokale në zonën e krizës”, theksohet në raport, ndërkohë që i bëhet thirrje qeverisë së Mijanmarit që të lejojë organizatat humanitare ndërkombëtare të dërgojnë ndihma për të dëmtuarit në rajon.

“Opinioni ndërkombëtar duhet urgjentisht të marrë masa efektive për mbrojtjen e civilëve Rohingya në veri të shtetit të Arakanit”, potencohet në raportin e BHRN-së.

Ndryshe, më 9 tetor në stacionet kufitare në Arakan u organizuan sulme dhe si pasojë jetën humbën 29 persona, prej të cilëve 13 pjesëtarë të sigurisë. Pas sulmeve, në rajon u transferuan shumë ushtarë e policë dhe filloi operacioni.

Grupet solidarizuese me Rohingyat thonë se që nga fillimi i operacioneve kanë vdekur 400 muslimanë të Arakanit, ndërsa numri i të vdekurve nga qeveria e Mijanmarit është 86.

Shumicën e popullatës në qytezat Maugdaw dhe Yathay Taung ku ndodheshin stacionet kufitare, e përbëjnë muslimanët e Arakanit, të cilët nga Organizata e Kombeve të Bashkuara përkufizohen si komuniteti më i dëmtuar në botë.

Si pasojë e incidenteve të dhunshme që shpërthyen në vitin 2012 në shtetin e Arakanit mes budistëve dhe muslimanëve, shumë persona humbën jetën, shumë shtëpi dhe biznese ishin djegur, ndërsa mijëra Rohingya u detyruan ta braktisin rajonin.

Share Button