Ndikimi i çajit në shëndet

Është fakt se çaji në shoqërinë tonë nuk konsumohet aq sa kafja dhe pijet e tjera. Kultura e pirjes së çajit ende nuk është e përhapur sa duhet, ndërsa të mirat e çajit nuk janë ende të njohura për të gjithë.Kualiteti i çajit varet nga vetë çaji, uji me të cilin zihet dhe nga ena në të cilën përgatitet ai. Do të ishte ideale që uji për çaj të jetë pa klor, ena për zierjen e tij nga një material neutral, ndërsa ibriku i çajit nga qelqi ose porcelani. Varësisht nga lloji i çajit, uji duhet të jetë i vluar, afër vlimit ose pak më i ftohtë. Qeskat me çaj ose masa e çajit lihen në ujë nga dy deri në pesë minuta.

Çajin mund ta begatojmë me shtesa të ndryshme. Zakonisht çaji pihet me sheqer, mjaltë dhe limon. Në disa vende si në Rusi çaji pihet me shumë sheqer, mjaltë ose edhe marmelatë dhe shërben si pije energjike. Në Japoni për t’u kënaqur plotësisht me aromën natyrale të çajit, ai pihet pa asnjë shtesë. Në Britani të Madhe më së shumti pihet çaji i zi me qumësht dhe sheqer. Në Tibet pihet çaji me kripë dhe gjalpë.

Pirja e tre ose më shumë filxhanëve të çajit në ditë është e shëndetshme, nëse jo edhe më e shëndetshme se pirja e ujit, pohojnë shkencëtarët britanikë. Çaji po ashtu mbron dhëmbët nga formimi i pllakës dhe kariesit e ndërkohë edhe i bën eshtrat më të dendura dhe më të forta. Një filxhan çaj është i mirë për zhvillim të dhëmbëve të shëndoshë dhe ruan fortësinë e tyre.

Çaji i zi

Çaji i zi përmban antioksidantin polifenol, i cili shkatërron radikalet e lira dhe shton rezistencën e organizmit ndaj infeksioneve. Çaji i zi për shkak të përbërësve të tij (kafeinës) vepron si stimulues dhe freskues, prandaj zvogëlon përgjumjen dhe lodhjen. Një filxhan çaj përmban një të katërtën e kafeinës që përmban një filxhan kafe.

I gjelbër

Çaji i gjelbër është çaj tradicional kinez. Është i tharë, por jo i fermentuar për dallim nga çaji i zi, kështu që përmban më tepër përbërës ushqyes dhe ka më shumë antioksidantë të cilët rrisin imunitetin dhe pengojnë plakjen. Hulumtimet kanë treguar se çaji i gjelbër mund të parandalojë një varg sëmundjesh, përfshirë diabetin dhe kancerin e lukthit, prostatës dhe të mushkërive. Çaji i gjelbër si pije përdoret edhe kundër akneve. Lehtëson tretjen dhe ndihmon organizmin të lirohet nga toksinat, gjë që është një ndihmë e mirëseardhur në parandalimin e shfaqjes së akneve. Po ashtu ndihmon në uljen e kolesterolit dhe është më i mirë se çaji i zi edhe “për mbrojtje” nga sëmundja e Alzheimerit. Çaji i gjelbër nuk do të duhej pirë me sheqer, sepse në këtë mënyrë zvogëlohet efekti i tij.

Share Button