Ndërtimi në Vjosë, furtunë në policinë e Gjirokastrës

Ndërtimi në Vjosë ka prekur edhe strukturat e policisë së shtetit. Shefi i komisiariatit të Përmetit, Gazment Shehu është shkarkuar nga detyra, si dhe disa zyrtarë të tjerë të policisë së këtij rrethi.

Sipas burimeve zyrtare ngjarja e ka zanafillën që në 5 shtator, kur ka nisur dhe devijimi i një burimi natyror uji. Në atë kohë ka shkuar për kontroll grupi i postës së policisë së Këlcyrës.

Megjithatë ngjarja nuk është raportuar pranë strukturave përgjegjëse, nuk u kryen veprimet proceduriale dhe nuk u referua çështja në Prokurori. Drejtuesit e Drejtorisë Vendore nuk kanë ushtruar përgjegjësinë ndaj strukturave në varësi për raportimet për kontrollin e teritorit. Kontrolli i territorit, në të cilin përfshihet edhe ruajtja e mjedisit nga çdo lloj krimi mjedisor është detyrë e strukturave të policisë vendore. SHÇBA dhe me kërkesë të ministrit Famitr Xhafaj, nisi hetimet.

Kështu krahas shefit të komisariatit të policisë së Përmetit, u shkarkua nga detyra dhe shefi i stacionit të policisë së Këlcyrës, Edmond Anxhara, u përjashtua specialisti i zonës Dashnor Jakupi, u dha vërejteje me paralajmërim për zv.drejtorin e policisë së Gjirokastrës, Koço Dafa, dhe vërejtje për drejtorin e policisë së qarkut Lorenc Panganika.

Ndërkohë SHÇBA ka referuar edhe materialet në prokurori për shpërdorim detyre për zyrtarët e policisë, Gazment Shehu, Edmond Anxhara dhe Dashnor Jakupi.

Në reagim të kësaj problematike ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, përmes një letre dërguar drejtuesve të Policisë së Shtetit, dënon ashpër mos reagimin e strukturave përgjegjëse në kohën e konstatimit të punimeve, duke nënvizuar nevojën për kontrollin e territorit dhe tërheq vëmendjen e strukturave vendore të policisë lidhur me përgjegjësinë ligjore që ato kanë për parandalimin, evidentimin dhë ndëshkimin e shkeljeve të ligjit, të cilat lidhen me ndërtimin në territor, si dhe me ruajtjen e mjedisit.

Ministri Xhafaj tërhoqi vemendjen e drejtorëve të policisë së qarqeve për rikonceptimin e një marrëdhënieje të re në shërbim të qytetarëve dhe kërkoi nga Drejtori i Përgjithshsëm i Policisë kryerjen e analizave të veçanta me gjithë strukturat vendore për reflektimet e duhura.

“Mbetem personalisht i angazhuar si dhe në përmbushje të zotimeve të Qeverisë shqiptare, ashtu sikundër besoj edhe për ju, për të kërkuar ndëshkim me tolerancë zero të çdo punonjësi të Policisë, që me veprime apo mos veprime shkel ligjin, apo bëhet palë me shkelësit e tij”, shkruan ministri i Brendshëm në mesazhin e tij.

Share Button