Ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare kompozitori i njohur Aleksandër Lalo

Është ndarë në mënyrë të papritur nga jeta mbrëmjen e së dielës kompozitori i njohur, Aleksandër Lalo.

Maestro Lalo së fundmi ishte pjesë e produksionit më të ri të Televizionit Klan, “C’est la vie” si kryetar i jurisë.

Me të mësuar ndarjen nga jeta të Lalos, Televizioni Klan ndërpreu transmetimin e “C’est la vie” në shenjë respekti.

“Teleshikues të televizionit Klan, po ndërpresim rrjedhën normale të programacionit, të spektaklit të cilin po e ndiqnit, pas ndarjes në mënyrë të papritur pak minuta më parë nga jeta të kompozitorit të njohur Aleksandër Lalo. Në shenjë respekti, TV Klan nuk do të vazhdojë mbrëmjen e sotme transmetimin e spektaklit, pjesë e të cilit ishte edhe Aleksandër Lalo nga java e parë”, tha spikeri i lajmeve në Tv Klan, Reis Çiço, duke sqaruar se puntata e ditës së sotme “ishte e regjistruar dy ditë më parë”.

“Aleksandër Lalo është një nga kompozitorët më të njohur shqiptarë, autor i shumë kompozimeve për filma të njohur të kinematografisë shqiptare dhe melodive të këngëve të shumta në festivale” tha Çiço.

Kompozitori 68-vjeçar ndërroi jetë pas një ataku në zemër.

Lalo ka lindur në Tiranë më 27 Prill të vitit 1949, në një familje me prejardhje nga Leskoviku. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve për muzikë në vitin 1973. Ai dha një kontribut të madh në kinematografi si kompozitor i mbi 20 filmave artistikë dhe disa filmave vizatimorë.

Share Button