Nderohet akademiku anglez nga Veliaj me “Çelësin e qytetit”

“Çelësi i qytetit” i është dorëzuar akademikut anglez, Sir Noel Robert Malcolm nga kryebashkiaku Veliaj i cili gjatë fjalës së rastit u shpreh: “Miqtë duhen për të rrëfyer historinë dhe ndoshta janë edhe më transparentë në mënyrën se si e shohin atë.

Në një vend si Tirana, apo në trojet shqiptare në Kosovë dhe Malin e Zi, kemi ngut për të bërë gjëra për të ardhmen, por ndonjëherë duhet ta kthejmë pak kokën pas për të kuptuar se çfarë kemi bërë në të kaluarën, cila është historia jonë, sepse nuk jemi rastësisht këtu. Kërkimet e profesor Malcolm-it na kanë mësuar se ky vend, ky rajon, ka qenë gjithmonë kështu, me të njëjtat dinamika”, pohoi Veliaj.

Profesori Noel Malcolm falenderoi kryebashkiakun Veliaj për nderimin që iu bë nga Bashkia e Tiranës me dhënien e simbolikës së qytetit.

“Jam shumë i lumtur që jam në Tiranë për promovimin e librit dhe gëzohem shumë që kam ardhur këtu në Bashki për një nder të madh që ishte i papritur për mua. Ndaj ju falenderoj shumë”, tha ai.

Sir Noel Robert Malcolm është gazetar politik, historian dhe akademik. Ai mori titullin “Sir” për shërbime ndaj akademisë, gazetarisë dhe historisë europiane. Dy librat më të rëndësishëm për rajonin deri më sot janë “Bosnia: A short history” dhe “Kosovo: A short history”. Libri i tij i fundit titullohet “Agjentët Perandorakë”, i cili ka në qendër dy familje shqiptare nga Ulqini.

Share Button