Ndalohet drejtori i Agjencisë Rajonale të Korçës nga policia italiane

Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Korçë, Aleksandër Çela, është ndaluar prej një jave nga Policia italiane me akuzën e “trafikimit të qenieve njerëzore”.
Çela, i cili ishte edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, i zgjedhur nga një prej partive të vogla aleate të së majtës, mësohet se është kapur nga Policia italiane, por ende nuk janë sqaruar rrethanat konkrete të ndalimit të tij.

‘Panorama’ shkruan se persona të afërt të Çelës pohojnë se ai u ka deklaruar atyre se ndalimi është bërë për shkak se nuk ka deklaruar shumën e të hollave që kishte me vete.

Po të njëjtët persona thonë se nga kontaktet me Çelën, ky i fundit u ka pohuar se në fundjavë do të jetë në qytetin e Pogradecit, sapo të përfundojnë proceduarat me Policinë italiane, dhe pas kthimit do të japë sqarimet përkatëse për këtë histori.

Ai është i njohur për përfshirjen dhe angazhimet politike. Pasi arriti të fitojë zgjedhjet në komunën e Dardhasit, në Pogradec, dhe të marrë drejtimin e saj, Çela u shkarkua për shkak të mosdeklarimit të pasurisë, ndërsa pak kohë më vonë u emërua si drejtor i ARM në Korçë, post të cilin vijon ta mbajë.

Ndalimi i tij në Itali është bërë shkak që Aleksandër Çela të shkarkohet nga detyra.

Të kontaktuar nga “Panorama”, punonjës të kësaj drejtorie shprehen se prej fillimit të javës drejtori nuk është paraqitur në zyrë, por askush nuk di arsyen e kësaj mungese. Nga ana tjetër, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, burimet bëjnë me dije se në datën 17 maj, kur edhe ka qenë mbledhja më e fundit, është lexuar deklarata e dorëheqjes nga mandati i këshilltarit për Aleksandër Çelën.

Një deklaratë dorëheqjeje që nuk tregonte arsyen e vërtetë të largimit, por ishte motivuar për shkaqe personale.

Në deklaratë, e cila mban firmën e një noteri të njohur në qytetin e Pogradecit, data e përpilimit të aktit është 30 marsi, ndërsa nuk dihet se pse Aleksandër Çela e ka mbajtur kaq gjatë këtë vendim para se t’ia dërgonte Këshillit Bashkiak.

Share Button