Ndahet nga jeta studiuesi i shquar i gjuhës shqipe, Isa Bajçinca

Dje në orët e mbrëmjes ka mbyllur sytë përgjithmonë studiuesi i shquar i gjuhës shqipe, profesori dhe intelektuali i zellshëm, Isa Bajçinca.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë publik familja e profesorit, ku në njoftim thuhet: “”Me pikëllim të thellë njoftojmë farefisin, miqtë, dashamirët dhe kolegët se sot, me datë 29 dhjetor 2015, ndërroi jetë Prof. Iisa Bajçinca (1940)”.

Sipas njoftimit të familjes, sot (30 dhjetor) në orën 12:00, në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës do të mbahen homazhet për përcjelljen e trupit të pajetë të profesor Isa Bajçincës. Ndërsa varrimi bëhet në orën 15:30, në fshatin Bardh i Madh të Fushë Kosovës.

Ky lajm i hidhur nuk është vetëm për familjen e tij të shtrenjtë e për të afërmit, por edhe për miqtë, bashkëpunëtorët e kolegët e shumtë me të cilët një jetë të tërë ia kushtoi zhvillimit të arsimit shqip dhe zhvillimit të gjuhës shqipe.

Shumë prej kolegëve të tij dhe ish-studentëve kanë reaguar në rrjetet rrjetet sociale duke shprehur keqardhje dhe pikëllim për largimin nga kjo botë të profesorit, i cili deri në ditët e fundit ishte mjaft aktiv. Këtë e pohon edhe në një postim në facebook, studiuesi Rrahman Pacarizi, ku shprehet:

“Sapo e mora lajmin për vdekjen e profesorit tim Isa Bajçinca. Para pak ma shumë se një muaj ishim bashkë në emisionin “Arkiv” në RTK. Ishte i lodhur dhe vdekja i sillej rreth, por edhe aty, edhe në atë gjendje e sfidoi atë dhe foli kthjellët për gjuhën shqipe. “E kam veç një hall- me e rujtë nga ndikimi i serbishtes”, tha ndër të tjera. Jemi pajtuar e kundërshtuar deri në fund, duke e dashur gjuhën shqipe.
I përjetshëm kujtimi për Ty, i dashur profesor!”.

Ndërsa kolegia dhe studiuesja e mirënjohur Shefkije Islamaj shprehet:

“Gjuha shqipe ishte për të pikënisja dhe pikarritja e tij çdoditshme në jetën e tij prej mësimdhënësi, studiuesi, intelektuali e zelltari. Preokupimet e zelli i tij për fjalën shqipe nuk shtriheshin vetëm në rrafshin teorik, po ishin të materializuara me veprimtari të gjera, domethënëse dhe shumë të dobishme në të mirë të gjuhës shqipe e të gjuhës standarde.
Gjuha shqipe mbeti pa të dashuruarin e madh të saj, pa studiuesin e saj të shquar dhe pa folësin e saj shembullor.
Ikja e tij nuk është humbje vetëm për familjen, po edhe për kolegët e miqtë e tij të shumtë. Na mbetet ngushëllim kontributi i tij i madh dhënë arsimit shqip dhe studimeve gjuhësore shqipe.
Shpreh ngushëllimet me të thella familjes, kolegëve dhe e miqve të tij duke marrë pjesë në pikëllimin e në dhembjen e tyre.”

Profesor Isa Bajçinca pati një veprimtari jetësore mjaft aktive. Ai ka qene një nga nënshkruesit e rregullave të drejtshkrimit të shqipes në vitin 1972. Ai ishte ideator dhe themelues i Shoqatës së Gjuhës Shqipe në Kosovë dhe ideator e organizator i shumë konferencave e botimeve mbi gjuhën tonë.

Ndër të tjera, ka dhënë kontribut të veçantë edhe për organizimin e simpoziumit mbi terminologjinë fetare në gjuhën shqipe, organizuar në Tiranë nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC).

Ndjeshmëria e tij e shquar ndaj çështjeve të gjuhës është parë e shfaqur për më shumë se dyzet vjet në studimet e në artikujt e tij të shumtë, në ligjëratat, kumtesat e referimet e tij të shumënumërta në Prishtinë, Tiranë e në gjithë hapësirën shqiptare

S’mund të ishte ndryshe, sepse për profesorin Isë shqipja standarde ishte përbërësi themelor i identitetit të shqiptarëve, i jetës së tyre kombëtare, ishte mjeti kryesor dhe i pazëvendësueshëm i komunikimit midis shqiptarëve kudo jetojnë ata, ishte arritja më e madhe e njësimit të tyre shpirtëror.

Ai e kishte kuptuar thellësisht se gjuha standarde shqipe është vepër e shumë brezave të lëvruesve të shqipes, e brezave qartëpamës e larghedhës të historisë sonë jo vetëm gjuhësore, prandaj jeta e tij ishte vazhdim i synimeve të këtyre brezave për t’i dhënë shqipes njësinë, pamjen, forcën, zhdërvjelltësinë e një gjuhe të zhvilluar, të përpunuar e të normëzuar, të një gjuhe moderne e të aftë për t’u ballafaquar me zhvillimet brenda e jashtëkombëtare.

Me kontributin e tij të madh në këtë fushë ai qe e mbeti personaliteti model për të gjitha ata që kanë zgjedhur ta duan gjuhën shqipe e të jetojnë për gjuhën shqipe.

Share Button