Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare shkrimtari Kasem Trebeshina

Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare shkritari i njohur Kasem Trebeshina. Shkrimtari ka ndërruar jetë ditën e djeshme në Ankara ku jetonte tek vajza e tij, njofton Oranews.

Trebeshina njihet si kundërshtar i regjimit komunist.

Pas rënies së komunizmit ai të proklamohej si disident duke marrë për bazë një promemorie që thuhej t’ia kishte dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, ku e kritikonte metodën e realizmit socialist.

Jeta e shkrimtarit Trebeshina

Trebeshina filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore, që ishte homologe e OZN-së jugosllave, dhe që drejtohej nga Koçi Xoxe.

Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare.

Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës.

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, dhe e botuar pas rënies së komunizmit, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet.

Veprat e Kasëm Trebeshinës

Kruja e çliruar, 1953
Artani dhe Min’ja, 1961
Stina e Stinëve, 1991
Legjenda e asaj që iku, 1992
Qezari niset për luftë, 1993
Koha tani, vendi këtu, 1992
Rruga e Golgotës, 1993
Mekami, melodi turke, 1994
Lirika dhe satira, 1994
Historia e atyre që s’janë, 1994
Ëndrra dhe hije, 1996
Hijet e shekujve”, 1996
Nata para apokalipsit, 1998
Ku bie Iliria, 2000
Kënga Shqiptare, 1-5, 2001
Më përtej kohërave, 2004
Drama, 2006
Polimnia dhe Melpomena, 1-2, 2006
Tregtari i skeleteve, 2006
Këngë për Kosovën, 2007
Shtigjet e shekujve, 2007
Një ditë në natën pa fund (Dafinat e thara), 2016

Share Button