Ndahet nga jeta Gabriel Garcia Marquez

Ka ndërruar jetë shkrimtari me famë botërore, Gabriel Garcia Marquez.

Autori i shumë librave dhe fitues i çmimit “Nobel”, u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare nga pneumonia, sëmundje që e vuante prej kohësh.

Lajmi për vdekjen e shkrimtarit kolumbian është bërë i ditur nga familjarët për mediat e huaja.

Gabriel Garcia Marquez konsiderohet si shkrimtari më popullor në gjuhën spanjolle që nga Migel Servantes.

Veprat e tij letrare kanë qenë shkrimet më të shitura në spanjisht.

Ai kujtohet më së shumti për veprat “100 Vjet Vetmi” dhe “Dashuria në Kohërat e Kolerës”.

Romani i tij epik “100 Vjet Vetmi” është shitur në mbi 50 milionë kopje në 25 gjuhë të ndryshme.

García Márquez, me origjinë nga Kolumbia, konsiderohet si shkrimtari që popullarizoi realizmin magjik, një zhanër që ndërthur përshkrime të jetës së përditshme me elementë fantastikë.

García Márquez fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982 për tregimet dhe romanet e tij.

Në fjalën e falenderimit kur mori çmimin, ai u shpreh “Amerika Latine është një burim i pashtershëm krijimtarie, dëshpërimi dhe bukurie”.

 

 

Share Button