Ndahet nga jeta akademiku Prof. dr. Hasan Çipuri

Sot është ndarë nga jeta në moshën 82 vjeçare profesori i nderuar Hasan Çipuri. Prej shumë vitesh profesor Çipuri ishte një ndër anëtarët kryesorë të Bordit ekzekutiv të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, duke dhënë një kontribut të vyer me idetë, përvojën dhe përgatitjen akademike të ofruar.

Ai ka qenë shef i sektorit të Terminologjisë dhe Enciklopedisë Ushtarake, njëherazi pedagog i gjuhës serbo-kroate në Akademinë e Mbrojtjes dhe në Fakultetin e gjuhëve të huaja. Duke qenë njohës i pesë gjuhëve të huaja, kontributi i tij është i madh në fushën e linguistikës.

Profesor Çipuri është autor i 32 fjalorëve, mes të cilëve fjalori shqip-serbisht, 12 librave historikë dhe ushtarakë si dhe buletinëve e teksteve mësimore. Prof. dr. Hasan Çipuri, për punën e tij të palodhur dhe kontributin e madh në shumë fusha, ka fituar 8 urdhëra e medalje shërbimi dhe veprimtarie shkencore nga institucionet e Kuvendit dhe Presidentit të Republikës.

Gjithashtu, ai është nderuar me shumë tituj nderi në Evropë e Amerikë, mes të cilave Medalja botërore e Lirisë dhe Medalja e Ambasadorëve Ndërkombëtarë, dorëzuar nga Instituti Biografik Amerikan. Ai do të kujtohet gjithnjë si një intelektual i shquar, një bashkëpunëtor i zoti dhe njeri me merita të veçanta.

Ceremonia e varrimit bëhet sot, më datë 29.09.2017, ora 16:00, në varrezat e Sharrës, Tiranë.

hasan-cipuri

Share Button