Ndahen çmimet Pulitzer në fushën e gazetarisë

Dy gazeta që zbuluan programet sekrete të qeverisë amerikane për spiunazh të drejtuara nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Washington Post dhe Guardian, do të ndajnë çmimin Pulitzer të këtij viti për shërbim ndaj publikut.

Artikujt e tyre, të bazuar në mijëra dokumente sekrete të dorëzuara nga ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden, shkaktuan fillimin e një debati të madh në Shtetet e Bashkuara mbi privatësinë dhe sigurinë dhe bënë që Presidenti Barack Obama të vendoste kufizime në programet e survejimit.

Çmimi Pulitzer për mbulimin e shpejtë të lajmeve iu dha gazetës The Boston Globe për punën e saj në mbulimin e ngjarjeve që lidhen me shpërthimet në maratonën e Bostonit dhe ndjekjen e autorëve të sulmit.

New York Times fitoi dy çmime Pulitzers në fushën e fotografisë, duke përfshirë kategorinë e lajmeve të çastit për dokumentimin e sulmit terrorist në qendrën tregtare Westgate në Kenia.

Çmimi për raportimin e lajmeve ndërkombëtare iu dha agjencisë së lajmeve Reuters për artikujt e saj mbi persekutimin e dhunshëm të pakicës myslimane Rohingya në Birmani.
Pulitzers janë çmimet më të njohura dhe më prestigjioze për artet dhe gazetarinë në Shtetet e Bashkuara.

 

 

Share Button